Tregti

Transporti “vulos” rënien e tregtisë në 2022-shin/ Rritja e çmimeve ka nxitur një tkurrje prej rreth 20%. “Shpëton” vetëm transporti ajror, “falë” turizmit

0

Të dhënat e INSTAT përmes publikimit “Statistikat e Transportit” përgjatë muajit dhjetor tregojnë për një rënie të volumit të mallrave të transportuara në rrugët detare dhe ajrore dhe një rritje të lehtë të volumit të tyre të transportuara në rrugë hekurudhore.

Transporti i mallrave në rrugë detare, i cili zë edhe peshën më të madhe të tregtisë ka pësuar rënie deri në 17.4%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Sa i përket volumit të mallrave të transportuara në rrugë ajrore rënia e tyre regjistrohet në 11.7%, ndërkohë që volumi i mallrave të transportuara në rrugë hekurudhore është rritur me 6.2 %, krahasuar me Dhjetorin e 2021-shit. Përsa i takon transportit të mallrave përgjatë gjithë vitit që lamë pas, vihet re se volumi i mallrave si në rrugë detare po ashtu edhe në rrugë hekurudhore ka pësuar rënie, përkatësisht me 20.6% dhe 20.4%. Nga ana tjetër, volumi i mallrave të transportuara me ajër është i vetmi që ka pësuar një rritje të lehtë, ku përgjatë vitit 2022 rritja shënohet vetëm me 1.4%. Këto shifra konfirmojnë rënien e tregtisë në vendin tonë, si pasojë e krizës së çmimeve që ka shoqëruar vitin 2022.

Nëse do të shohim transportin e pasagjerëve, numri i pasagjerëve në dhjetor të këtij viti ka shënuar rritje, si në linja detare po ashtu edhe në linja ajrore. Të dhënat tregojnë se rritjen më të madhe e kanë regjistruar pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja ajrore, me 50.4%, krahasuar me dhjetorin e një viti më parë. Pasagjerët në linja detare po ashtu kanë shënuar rritje me 27.3% gjatë dhjetorit, ndërkohë që me rënie paraqiten pasagjerët e linjave hekurudhore, me 83.9%. Le të ndalemi në interpretimin e shifrave përgjatë gjithë vitit që kaluam. Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se rritjen më të madhe gjatë kësaj periudhe e kanë pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja ajrore, me 78.9%, ndërsa pasagjerët në linja detare janë rritur me rreth 58.4%, kurse pasagjerët e linjave hekurudhore kanë pësuar një rënie me 55.5%, krahasuar me të dhënat e vitit 2021.

Numri i fluturimeve gjithashtu paraqitet pozititv edhe përgjatë dhjetorit të këtij viti. Fluturimet e kryera janë 3,018, duke pësuar rritje me 25.3%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe i gjithë viti 2022 ndërkohë regjistrohet në rritje, me plot 48.3% krahasuar me vitin 2021.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

12 mijë azilantë shqiptarë në 11 muaj/ Në vitin 2022, rreth 18% më shumë kërkesa për azil

Postimi mëparshëm

Shqipëria përkeqësohet në liritë njerëzore- Indeksi/ Pavarësisht rënies me 5 pozicione mbetemi të parët në rajon

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.