Financë

“Vuloset” Eurobondi 600 milionë eurosh/ Bursa e Londrës: Interes 5.9% dhe maturim 5-vjeçar. I 6-ti në 13 vite

0

Bursa e Londrës ka konfirmuar daljen e radhës së qeverisë shqiptare në tregjet ndërkombëtare duke emetuar një `Eurobond` në vlerën e 600 milionë eurove. Të dhënat nga tregu ndërkombëtar tregojnë se ky Eurobond ka një afat maturimi 5-vjeçar, një kupon prej 5.9% dhe një yield mesatar ose interes afat-gjatë pranë 6.125%. Borxhi i ri maturohet më 9 Qershor të vitit 2028, pra pas 5 vitesh dhe interesi do të paguhet çdo vit më datën 9 Qershor.

Fillimisht qeveria shqiptare kishte parashikuar një Eurobond prej 500 milionë eurosh për këtë vit, por duket se zhvlerësimi i euros ka nxitur që autoritetet të bëjnë një dalje në tregje për një vlerë 100 milionë euro më të lartë. Zhvlerësimi i euros ndaj lekut i bën më të lira interesat e borxhit për qeverinë, përfshirë borxhet dhe eurobondet e vjetra, çka ka lënë në hijë edhe interesat më të larta të këtij eurobondi, krahasuar me tre të kaluarit. Pjesa më e madhe e eurobondit të ri do të shkojë për të financuar borxhet e mëparshme.

Në total, kjo është dalja e 6-të në tregjet ndërkombëtare nëpërmjet këtij mekanizimi. Eurobondi i parë i emetuar nga qeveria shqiptare ka qenë në vitin 2010, prej 300 milionë eurosh, me një kupon prej 7.5% dhe një yield prej 7.625% si dhe afat maturimi 5-vjeçar. Pra, është një borxh tashmë i mbyllur. Dalja e dytë ka qenë në vitin 2015, me një Eurobond prej 450 milionë eurosh, kupon 5.75%, yield 5.875%, dhe afat maturimi po 5-vjeçar. Në vitin 2018 shënohet dalja e tretë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh, me një vlerë prej 500 milionë eurosh, kupton 3.5%, yield 3.55%, si dhe maturim 7 vjeçar. Në vitin 2020 regjistrohet dalja e 4-tët, prej 650 milionë eurosh, me kupon 3.5%, yield 3.625% dhe afat maturimi 7-vjeçar. Një vit më pas, në 2021-shin është emetuar eurobondi i radhës, me kushte dhe vlerë thuajse identike me atë të vitit 2020, pra 650 milionë euro, 3.5% kuponi, 3.75% yieldi, ndërsa afati i maturimit 10 vjet.

Vetëm dy eurobondet e para, ai i vitit 2010 dhe ai i vitit 2015 janë shlyer deri më tani, ndërsa 3 të kaluarit, së bashku me borxhin e ri janë borxh ende i pashlyer. Eurobondi i vitit 2021, me një afat 10-vjeçar është ai më jetëgjatë, dhe mbaron i fundit, në vitin 2031. Në total bëhet fjalë për 3.15 miliardë euro borxhe në formën e eurobondit të marra nga qeveria shqiptare që prej vitit 2010.

Në buxhetin e këtij viti qeveria shqiptare ka parashikuar 21.7 miliardë lekë shpenzime për interesat e borxhit të jashtëm, i cili nuk përbëhet vetëm nga eurobondet. Por, me rritjen e vlerës së eurobondit dhe me zhvlerësimin e euros kjo shifër do të ndryshojë, edhe pse jo me diferenca të mëdha. Në vitin 2022, parashikimi, në kushtet kur nuk ka ende buxhet faktit të miratuar, flet për 18.6 miliardë lekë interesa të borxhit të huaj. Në vitin 2021, sipas buxhetit faktit, qeveria shqiptare ka paguar rreth 12.3 miliardë lekë në formë interesash të borxhit të jashtëm. Në vitin 2017 ky shpenzim ka qenë vetëm 10.5 miliardë lekë. Pra, në harkun e 5-6 viteve interesat e borxhit të jashtëm të qeverisë shqiptare më shumë se janë dy-fishuar, nga diçka më pak se 100 milionë euro, në rreth 200 milionë euro, si pasojë e dy eurobondeve me vlerë 1.3 miliardë euro të emetuar gjatë dy viteve radhazi, 2020-2021. Me eurobondin e ri bëhen 3 të tillë në 4 vite.

Klikoni këtu për qarkoren e eurobondit

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa shqiptarë ndërrojnë qytet në vit? 42 mijë! Gjirokastritët dhe dibranët ikin me “vrap”, tiranasit, durrsakët dhe shkodranët, më “patriotët”

Postimi mëparshëm

Investitorët marrin “kartolinën” e Shqipërisë/ Qarkorja e Eurobondit: Shqipëria ka disa risqe. Merrni me rezerva saktësinë e statistikave publike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.