Turizëm

Shqipëria po bëhet një destinacion global/ Trefishohen hyrjet nga Afrika. Në gusht u regjistruan 2.1 milionë hyrje nga të huajt

0

Gjatë muajit Gusht të këtij viti, rezultojnë të kenë hyrë në territorin shqiptar afro 3.1 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj ose 9.1% më shumë se një vit më parë. Nga ana tjetër, gjatë të njëjtës periudhë kanë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë afro 2.9 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Nëse analizojmë hyrjet e shtetasve sipas tipologjisë rezulton se numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 938,461, duke pësuar një rritje me 13.7%, krahasuar me Gushtin e vitit 2023. Ndërkohë, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është pothuajse 2.1 milionë. Ky numër është rritur me 7.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Nga ana tjetër, rreth 901 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 2 milionë shtetas të huaj numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë  në muajin gusht të këtij viti. Nëse analizojmë periudhën janar-gusht të vitit 2024 shohim se janë regjistruar rreth 8.5 milionë hyrje të shtetasve të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Nëse dëshifrojmë shifrat e hyrjeve të shtetasve të huaj sipas rajonit rezulton se ndër rajonet që kanë kontribuar më së shumti në rritjen totale të turistëve të huaj janë vendet europiane, të cilat përbëjnë shumicën e hyrjeve, me gati 2 milionë hyrje në Gusht 2024. Nga ana tjetër, hyrjet nga rajoni i Europës Jugore kanë shënuar rritjen më të madhe prej 5.2% në krahasim me vitin 2023. Një tjetër rritje e rëndësishme ka ardhur nga Amerika, me 52,771 hyrje në Gusht 2024, krahasuar me 40,106 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që përfaqëson një rritje prej 31.6%. Po ashtu, hyrjet nga Afrika janë pothuajse trefishuar, duke u rritur nga 1,319 hyrje në Gusht 2023, në 3,829 hyrje në Gusht 2024. Ndërkohë, në tetë muaj erdhën nga afrika rreth 19 mijë persona.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar qëllimin e hyrjes së të huajve në vendin tonë. Shifrat tregojnë se në 99% të rasteve, hyrja e shtetasve të huaj në Shqipëri bëhet për arsye personale, ku pushimet dhe vizitat tek të afërmit janë ndër më të zakonshmet. Në Gusht 2024, ky tregues ka njohur një rritje prej 10.4% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023. Një rritje të ndjeshme kanë shënuar gjithashtu edhe hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale, duke arritur një shtim prej 49.4% gjatë këtij muaji. Kjo tendencë tregon se Shqipëria po bëhet një destinacion gjithnjë e më tërheqës jo vetëm për turizëm, por edhe për aktivitetet profesionale dhe investimet e huaja.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Yield-i mesatar i bonove 12-mujore arrin në 3.11%/ Pranë normës bazë, më i ulëti në dy vitet e fundit

Postimi mëparshëm

Pasuritë e palujtshme “spostojnë” industrinë nxjerrëse/ Në gjysmën e parë të vitit renditen të parat për investimet e huaja

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.