Turizëm

Turistët shpenzuan 1 mld euro gjatë verës/ Rekord absolut për vendin, 35% më shumë se rekordi i mëparshëm. Mbi 2 mld euro në 9 muaj

0

Një milliard euro janë shpenzimet e turistëve në vendin tonë gjatë kulmit të sezonit turistik, në muajt korrik/gusht/shtator, tregojnë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Kjo shifër përbën një rekord absolut historik në këtë drejtim. Kurrë më parë, shifra nuk i ishte afruar 1 mld eurove, e jo më ta tejkalonte atë. Saktësisht, për tremujorin e 3-të të vitit, të ardhurat nga udhëtimet në ekonominë shqiptare fiksohen pranë 1.06 miliardë eurove.

Rekordi i mëparshëm regjistrohej po gjatë tremujorit të tretë, gjatë vitit të kaluar, me 786 milionë euro, çka do të thotë se këtë vit, shpenzimet e turistëve në vendin tonë gjatë sezonit veror kanë qenë 35% më të larta se një vit më parë, dhe se rekordi i mëparshëm historik. Përgjatë vitit 2019, përpara pandemisë, shpenzimet fiksoheshin në 782 milionë euro, sinjalizojnë të dhënat. Deri në vitin 2015, shifrat e shpenzimeve të turistëve në Shqipëri përgjatë 9 muajve të para të vitit kanë qenë më të ulta se vetëm 3 muajt e këtij viti, sinjalizojnë të dhënat, e analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.

Përgjatë 9-mujorit të parë të këtij viti ndërkohë, shifra ngjitet në 2.2 miliardë euro. Përgjatë dy viteve të kaluara të marra së bashku, për të njëjtën periudhë kohore, kjo shifër rezulton të ketë qenë kaq sa 9 muajt e këtij viti, pranë 2.2 miliardë eurove.

Kujtojmë se edhe në tremujorin e dytë të këtij viti regjistrohej një rekord historik në këtë drejtim, me 722 milionë euro, si kurrë më parë gjatë kësaj periudhe kohore.

Këto shifra janë në linjë me të dhëna të tjera mbi sektorin, ku sa i përket flukseve hyrse të turistëve në vendin tonë, ky vit, dhe sidomos muajt e verës përbëjnë gjihashtu një rekord historik. Gjithsesi, rritja e ndjeshme e shpenzimeve të turistëve në vendin tonë përgjatë sezonit të verës këtë vit, duket të jetë jo vetëm rrjedhojë e rritjes së turistëve në numër, por edhe e rritjes së ndjeshme të çmimeve, gjë që është reflektuar rrjedhimisht edhe në shifrën prej më shumë se 1 milard eurosh të shpenzuara në vetëm 3 muaj në vendin tonë për turizëm.

Ndërkohë, shifrat flasin edhe për një rekord tjetër; të shpenzimeve të shqiptarëve për udhëtime jashtë vendit, prej rreth 555 milionë eurosh, nga 401 milionë euro që ishin gjatë vitit të kaluar, por disi më pranë niveleve të vitit 2019 me 527 milionë euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa influencë ka Kina në Shqipëri? Renditemi ndër të fundit, ndikimi më i dobët në fusha si politika e jashtme dhe ajo e brendshme

Postimi mëparshëm

Pagat janë rritur, por për administratën/ Paga mesatare arrin në 61,613, rriten në shtet, bien në financë dhe komunikacion

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.