Popullsia

Në jug të Shqipërisë, jeta është më e shkurtër/ EUROSTAT: 7 vite më e shkurtër se në BE, ndërsa në qendër dhe veri jetohet më gjatë. Femrat kanë në “dispozicion” 4 vite më shumë

0

“Agjencia Europiane e Statistikave” ka publikuar së fundmi të dhënat për jetëgjatësinë në lindje, që është numri mesatar i viteve që një i porsalindur pritet të jetojë bazuar në normat e vdekshmërisë midis njerëzve të të gjitha moshave. “Scan Intel” i është rikthyer përsëri këtij treguesi këtë herë duke e analizuar sipas rajoneve të Europës por edhe sipas gjinisë. Në vitin 2020 ky tregues në vendin tonë është llogaritur në 77.4 vjeç mesatarisht. Siç e tregon edhe paraqitja grafike, në rajonin e qendrës njerëzit pritet të jetojnë më gjatë, me rreth 78.9 vite mesatarisht, ndërkohë që jetëgjatësia e pritur në lindje në jug është me e ulta, me 76.2 vite jetë. Ndërkohë, në veri jetëgjatësia e pritur në lindje regjistohet në 77.3 vite.

Ky tregues ndryshon ndjeshëm edhe sipas gjinisë, ku shifrat e analizura nga “Scan Intel” tregojnë se meshkujt në Shqipëri priten të jetojnë 73.3 vite, ndërsa femrat 79.6 vite. Referuar të dhënave të “EUROSTAT”, femrat priten të jetojnë mesatarisht 4.3 vite më shumë se meshkujt, ndërkohë që në rajonin qendër pritet të jetojnë 5 vite më shumë. Sa i përket diferencës mes jetëgjatësisë së femrave dhe të meshkujve në rajonet veri dhe jug llogariten në 4.4 vite dhe 3.9 vite përkatësisht.

Por si paraqitet jetëgjatësia e pritur në lindje mes meshkujve dhe femrave për vendet e rajonit? Të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave” tregojnë se Shqipëria renditet mes vendeve të Europës të cilat e kanë diferencën më të ulët mes jetëgjatësisë së femrave dhe jetëgjatësisë së meshkujve, që siç e përmendëm më lart llogaritej në 4.3 vite. Diferencën më të ulët e ka Islanda, ku femrat pritet të jetojnë rreth 3 vite më shumë se sa meshkujt. Pas Islandës ndjek në renditje Norvegjia, me 3.3 vite. Nëse do të flasim për anën tjetër të tabelës, Lituania është vendi i cili tërheq më shumë vëmendje. Lituania ka diferencën më të lartë të jetëgjatësisë së pritur në lindje mes femrave dhe meshkujve. Meshkujt në këtë vend pritet të jetojnë 10 vite më pak se femrat, ndërkohë në renditje ndjek Letonia me 9.4 vite diferencë. Estonia dhe Polonia po ashtu renditen mes vendeve me diferencën më të lartë, me 8.6 vite dhe 8.2 vite respektivisht.

Përgjatë vitit 2020, mesatarja e jetëgjatsisë së pritur në lindje për Bashkimin Europian ishte 83.2 vjeç. “Scan intel” ndër të tjera ka krahasuar rajonet e Europës me njëri tjetrin nga ku duket se jugu i Shqipërisë renditet mes vendeve të fundit, si rajoni me jetëgjatësinë më të shkurtër të pritur në lindje, me 76.2 vite mesatarisht. Jugu renditet në vend të 335 nga 395 rajone gjithsej në listë të marra në analizë. Në vend të parë sipas jetëgjatësisë në lindje renditet ishulli i Korsikës, rajon i Francës, me 84 vite.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Tregu i librit”, vetëm 13 milionë euro xhiro në vit/ Fitimet më pak se 2 milionë euro. Analiza e 40 shtëpive botuese, cila kryeson?

Postimi mëparshëm

Produktet e shportës janë shtrenjtuar me 18% – Renditja e tyre sipas çmimit që kishin vjet, dhe çmimit që kanë sot

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.