Ekonomi

Rreth 14.3% më shumë fermerë të regjistruar me NIPT/ Subvencionet e qeverisë nxisin formalizimin e sektorit bujqësor

0

Numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2023, është 96,440 duke shënuar një rritje me 14.3% krahasuar me  numrin e fermerëve të regjistruar një vit më parë. Rritja e numrit të fermerëve të rinj është kryesisht rezultat i mbështetjes financiare të qeverisë. Skemat e subvencioneve dhe nafta falas për bujqësinë kanë ndihmuar në rritjen e formalizimit të sektorit dhe në pajisjen e fermerëve me NIPT.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e regjistrit të ndërmarrjeve për vitin 2023, për të kuptuar sesi është shpërndarja e fermerëve sipas rretheve. Shifrat tregojnë se gjatë periudhës njëvjeçare të gjitha rrethet patën një rritje të numrit të fermerëve të regjistruar me NIPT.

Konkretisht, me rritjen më të lartë ka qenë qarku i Vlorës me 21.2%. Pra në vitin 2023 në këtë qark u regjistruan 1,016 fermerë më shumë se në vitin 2023. Në renditje ndjek qarku i Durrësit me 19.4% rritje ku në vitin 2022 ishin të regjistruar me NIPT 1,962 fermerë gjithsej ndërsa në vitin 2023 regjistrimet arritën në 2,392. Po ashtu qarku i Elbasanit ka patur një rritje të konsiderueshme të numrit të fermerëve me18.1%. Në të kundërt, rritja ka qenë e ulët në qarqet si Kukës, Korçë dhe Dibër. Ndërsa në vitin 2023, Fieri ishte qarku që kishte më shumë fermerë të regjistruar krahasuar me qarqet e tjera.

Nëse analizojmë fermerët, sipas gjinisë rezulton se 11.2% e fermerëve pronarë apo drejtues, janë gra. E përkthyer në vlerë absolute themi se janë 10,801 gra që drejtojnë aktivitetin e buqësisë. Lidhur me aktivitetin ekonomik shifrat tregojnë se 56.6% e fermerëve e ushtrojnë në ferma mikse dhe në kultivimin e perimeve.

Rritja e numrit të fermerëve të regjistruar me NIPT ndikon pozitivisht në ekonomi. Më shumë fermerë të regjistruar do të thotë më shumë prodhim buqësor, pra rritja e ofertës në treg do të “presionojë” uljen e çmimeve të fruta-perimeve. Gjithashtu, sektori bujqësor është burim i madh punësimi, veçanërisht në zonat rurale, dhe kjo rritje e numrit të fermerëve do të ndihmonte në zvogëlimin e papunësisë. Nga ana tjetër, një prodhim më i lartë bujqësor mund të çojë në rritjen e eksporteve bujqësore, gjë që përmirëson bilancin tregtar të vendit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në cilin sektor u shtuan më shumë ndërmarrjet? Ndërtimi mban rekord. Në tregti dhe bujqësi, rritja më e ulët e numrit të bizneseve

Postimi mëparshëm

Bien çmimet e importit, por rriten kostot e prodhimit/ Shtrenjtimi erdhi nga sektorët e energjisë dhe industria nxjerrëse

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.