Raporte

Shqipëria, ekonomia e 122-të në botë/ Në vitin 2037 pritet të zbresë në vendin e 128-të në glob

0

“Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi” ka publikuar tabelën e ekonomive të botës, i cili është një raport që ndjek zhvillimet makroekonomike në nivel global, por edhe në nivel vendi. Ai paraqet parashikime për 191 vende deri në vitin 2037. Ky raport përmban të dhëna edhe për Shqipërinë duke treguar si renditet krahasuar me vendet e botës, por gjithashtu paraqet edhe pritshmëritë ekonomike për vitet në vijim. Gjatë vitit 2022 Shqipëria është renditur në vend të 122-të mes 191 vendeve të marra në analizë. Edhe këtë vit pritet të ruajë të njëjtin pozicion. Ndërkohë, sipas raportit, në 15 vitet e ardhshme vite, Shqipëria pritet të zbresë gradualisht poshtë tabelës ekonomike botërore, nga vendi i 122-të në vitin 2022, në vendin e 128-të në 2037-ën.

Raporti merr në analizë secilin vend me detaje, ndër to edhe Shqipërinë, ku mes rreshtash thekson se pavarësisht rimëkëmbjes nga pandemia në vitin 2021, ekonomia e vendit u përball më një rritje të lartë të çmimeve të konsumit, i cili shihet si kërcënim edhe në vitet në vijim. Rritja e vlerësuar e çmimeve të konsumit gjatë vitit 2022 ka tejkaluar ndjeshëm mesataren e dekadës së mëparshme. Sipas raportit, edhe pse papunësia ka shënuar rënie, përsëri ajo mbetet në nivele shumë të larta, gjë që do të kufizojë nivelet e shpenzimeve konsumatore në vitet e ardhshme. Ndërkohë, borxhi i qeverisë si pjesë e PBB-së po ecën në drejtimin e duhur, duke u ulur në 70.3% në 2022, nga 73.9% që ishte përgjatë vitit 2021.

“Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi” parashikon se norma vjetore e rritjes së PBB-së në Shqipëri do të ngadalësohet në një mesatare prej 3.1% ndërmjet viteve 2023 dhe 2027, përpara se të ngjitet në një mesatare prej 3.4% midis 2028 dhe 2037.

Në raport një theks të veçantë i jepet edhe marrëdhënive Shqipëri-Kosovë. Sipas tij, mungesa e një zgjidhjeje afatgjatë me Kosovën, kërcënon perspektivat ekonomike afatshkurtëra të ekonomisë shqiptare.

Ndërkohë, PBB pritet të arrijë në 42 miliardë dollarë në vitin 2037, nga 18 miliardë dollarë në vitin 2022.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet në mes, ndërkohë që në krye renditet Serbia, në vend të 86-të për vitin 2022, pasuar nga Bosnje Hercegovina në vend të 113-të. Performancën më të dobët ekonomike në rajon për vitin 2022 e kanë patur Mali i Zi dhe Kosova të renditur në vend të 151-të dhe 148-të përkatësisht, si pasojë e ekonomisë dhe popullsisë së vogël që kanë. Nëse shohim pritshmëritë për vendet e rajonit, parashikimet për vitin 2037 tregojnë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë vendet e vetme të cilat do përmirësojnë renditjen e tyre.

Nga të dhënat e raportit, Kina pritet të kalojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2037, duke u renditur në vend të parë si ekonomia më e fuqishme e botës. Ndërkohë, India duket e pandalshme në vrullin e saj për t’u bërë superfuqia e tretë ekonomike.

Për të parë raportin e plotë klikoni këtu

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, më “gjumashët” në botë/ Gjysëm orë më shumë se mesatarja globale. Ata me arsim të lartë, 21 minuta më pak gjumë

Postimi mëparshëm

Si e mbyllën vitin valutat? Euro ka prekur “fundin”. Dollari amerikan “tërhoqi” fitimet në Dhjetor

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.