Ekonomi

Shqipëria po i shfrytëzon gjithmonë e më pak burimet natyrore/ Bie prodhimi vendas, rritet varësia nga importet

0

Shqipëria ka vijuar edhë në vitin 2021 të thellojë varësinë nga importi i produkteve të tokës dhe nëntokës, të cilësuara si produkte mjedisore dhe që përfshijnë kryesisht: produktet bujqësore, produktet minerare, materialet e ndërtimit, naftën, etj. Më saktësisht, përfshihet çdo produkt natyor, me përjashtim të ujit dhe ajrit, që shërben për qëllime ekonomike. Shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se, varësia nga importi e totalit të këtyre produkteve në vendin tonë është ngjitur pranë 22.2% në vitin 2021, nga 20.9% që ishte kjo normë në vitin 2020, apo 16.6% në vitin 2017. Ndër vite, rritja e varësisë nga importi është graduale dhe e qendrueshme, duke sjellë padiskutim ndikim në ekonomi, si dhe vulnerabilitet nga faktorët e jashtëm.

Mes këtyre produkteve, varësinë më të lartë nga importet e regjistrojnë produktet fosile të energjisë, pra kryesisht hidrokarburet, me 48.9%, si dhe mineralet metalike, me 37.9%. Nga krahu i kundërt kemi mineralet jo metalike, me vetëm 12.5% varësi nga importi, dhe që përfshijnë kryesisht materialet e ndërtimit. Varësia nga importet e materialeve tregon shkallën në të cilën një ekonomi mbështetet në importe për të përmbushur nevojat e saj për materiale dhe përllogaritet si raporti i burimeve të brendshme plus importe, përmbi importet.

Sa i përket produktivitetit, sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2021 një kilogram produkt i natyrës në vendin tonë ka gjeneruar plot 92 lekë në ekonomi, duke prekur një rekord të ri historik, nga 85 lekë që ishte në vitin 2020, dhe nga 52 lekë në vitin 2016, kur është arritur edhe niveli më i ulët i dekadës së fundit.

Sa i përket prodhimit të brendshëm, shifrat sinjalizojnë se, gjatë vitit 2021 fiksohet pranë rreth 19.1 milionë tonëve, në rritje krahasuar me vitin 2020, por në rënie krahasuar me 2017-tën, kur fiksohej në rreth 21 milionë ton, çka sinjalizon se rritja e varësisë nga importi nuk është rrjedhojë e rritjes së kërkesës së brendshme, por veçanërisht e rënies së prodhimit. Kjo rënie është kryesisht rrjedhojë e tkurrjes së prodhimit të mineraleve jo metalike, nga 10.6 milionë ton në vitin 2017, në 8.5 milionë ton në 2021-shin, si dhe të biomasës, nga 8.1 milionë ton në 2017-tën, në 7.4 milionë në vitin 2021.

Gjatë së njëjtës periudhë kohore, ndërkohë që prodhimi vendas ka rënë, importet janë rritur, nga 4.2 milionë ton në 2017-tën, në 5.4 milionë ton në 2021-shin, duke zëvendësuar kështu mungesën e prodhimit vendas.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Qeverisja e mirë, Shqipëria, e 51-ta në botë/ Renditemi pozitivisht sa i përket institucioneve, por “çalojmë” në politikat dhe ligjet e qendrueshme

Postimi mëparshëm

Marsi rikthen tendencat rënëse të kreditimit / Por, vijon rritja e kredisë për blerje banese. Rekord huadhënie drejt kompanive publike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.