Ekonomi

Rritet paga mesatare me rreth 4401 lekë/ Arrin në 66 mijë mijë lekë në fund të 2022-shit, por rritet edhe papunësia

0

Paga mesatare bruto në Shqipëri për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, llogaritet në 66,014 lekë. Kështu, shifrat e publikimit të “Institutit të Statistikave” mbi statistikat e pagave sinjalizojnë se paga mesatare bruto përgjatë tremujorit të katërt të këtij vitit është rritur me 10.8%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e katërt të vitit 2021, paga mesatare bruto llogaritej në 59,565 lekë.

Rritja në nivelin e pagave bruto vërehet edhe nëse do ta krahasonim me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e tretë të vitit. Paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt, krahasuar me të tretin, është rritur me 7.1%. Në tremujorin e tretë fiksohej pranë 61,613 lekëve. Pra, kemi të bëjmë me 4401 lekë rritje të pagës bruto në muaj. Nga analiza e të dhënave vihet re se të gjitha aktivitet ekonomike kanë pësuar rritje të pagës në terma tremujorësh. Rritjen më të lartë e ka shënuar “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” me 19.3%, ndjekur në radhë nga “Informacioni dhe komunikacioni” me 10.2%.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vihet re se rritjen më të madhe e ka regjistruar paga në aktivitetin e “Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit” prej 18.2 %. Aktiviteti i dytë i cili sinjalizon rritjen më të lartë të pagës përgjatë tremujorit të katërt në terma vjetorë është “Aktivitete financiare dhe të sigurimit” me 16.4%, ndjekur nga “Tregtia” me 15.6%. Të dhënat tregojnë se aktiviteti me ritmin më të ulët sa i përket rritjes së pagave është “Administrata publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale” prej 6.2 %.

Le të shohim si paraqitet niveli i pagës mesatare bruto sipas aktiviteteve dhe profesioneve referuar termave absolute. Shifrat tregojnë se “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” regjistrojnë pagën më të lartë bruto gjatë tremujorit të fundit të vitit 2022 me 142,141 lekë. Aktiviteti i dytë me pagën më të lartë të regjistruar është “Informacioni dhe Komunikacioni” me 103,520. “Administrata” vjen e treta në renditjen me pagën mesatare bruto më të lartë me 75,059 lekë. Ndërkohë bujqësia vijon të mbetet sërish në vend të fundit si aktiviteti me pagën me të ulët në rreth 42,428 lekë.

Nëse do të ndalemi për të analizuar nivelin e pagës sipas grup-profesioneve shohim se pagën më të lartë e regjistron profesioni “Manaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” me 109,465, ndjekur nga “Specialistë me arsim të lartë” me 86,542 lekë. Punonjësit e bujqësisë, si dhe punëtorë në profesione elemetare janë profesionet më pak të paguara përgjatë tremujorit të katërt të vitit.

Sa i përket papunësisë, norma në tremujorin e fundit të vitit të kaluar fiksohet pranë 10.8%, nga 10.6% që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2022, duke u rritur kështu me 0.2 pikë përqindje. Rritja e normës së papunësisë vjen në një kohë që sektori privat po vuan një mungesë të theksuar të krahut të punës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditë me probleme nisin vitin me rritje/ Në Janar norma ngjitet në 5.1%, nga 5% që ishte në Dhjetor

Postimi mëparshëm

12,561 shqiptarë ikën me gomone në Mbretërinë e Bashkuar në 2022-shin. Përbëjnë 28% të totalit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.