Financë

Kreditë me probleme nisin vitin me rritje/ Në Janar norma ngjitet në 5.1%, nga 5% që ishte në Dhjetor

0

Sipas statistikave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, norma e kredive me probleme ka shënuar rritje të lehtë gjatë muajit të parë të vitit 2023, duke shkuar në 5.1%. Krahasuar me periudhën paraardhëse, është rritur me vetëm 0.1 pikë përqindje, nga 5% që ishte në muajin dhjetor. Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, treguesi i kredive me probleme ka pësuar një rënie prej 0.35 pikë përqindje, nga 5.45% që ishte në janarin e 2022-shit.

Përgjatë vitit të kaluar, kjo normë është dominuar nga ritme rënëse, përveç muajve prill, maj dhe nëntor ku pati rritje të vogla me vetëm 0.02-0.18 pikë përqindje. Mesa duket këto rritje të lehta në normën e kredive me probleme vijojnë të jenë sporadike dhe akoma nuk kanë bërë kthesën drejt një trendi rritës që do të mund të shikohet si një reflektim i vështirësive ekonomike që po kalon vendi.

Norma e kredive me probleme ndaj totalit të huave, ka pësuar ndryshime të theksuara përgjatë viteve, në varësi të rrethanave dhe ngjarjeve ekonomike që kanë shoqëruar vendin. Mbështetur në të dhënat zyrtare, që nga korriku i vitit 2007, vlera e më e lartë e normës së kredive me probleme është shënuar gjatë shtatorit të vitit 2014, në 25% të kredive bruto. Kjo rritje e lartë erdhi si rezultat i pasojave të vonuara që prekën ekonominë e vendit tonë për shkak të krizës financiare globale të 2007 dhe 2008.

Mesatarisht norma e kredive me probleme që kanë shoqeruar vitin 2022, është në vlerën e 5.24%. Pavarësisht ndonjë rritje të lehtë, ecuria e këtij treguesi vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe duket sikur ka tendecën të shkojë në nivelet e para krizës botërore ku mesatarisht kjo normë për vitin 2008 ishtë në vlerën 4.4%.

Qëndrueshmëria e normës së kredive me probleme tregon një sistem bankar të shëndetshëm, duke sjell një sërë aspektesh pozitive si nga ana e besimit të konsumatorit, por edhe në klimën e biznesit. Megjithatë, nuk duhet harruar mundësia që pasojat e situatës së vështirë ekonomike do të reflektohen në këtë tregues në periudhën afatgjatë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, ndër 10 vendet më të lira në Europë për të karikuar një makinë elektrike/ Por, në rrugët tona ka vetëm 1245 automjete të tilla

Postimi mëparshëm

Rritet paga mesatare me rreth 4401 lekë/ Arrin në 66 mijë mijë lekë në fund të 2022-shit, por rritet edhe papunësia

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.