Ekonomi

Remitancat, si renditet Shqipëria? Indeksi: Pozicionohemi në vend të 69-të në botë dhe të tretët në rajon

0

Sipas të dhënave të ‘Royal Ranking’ të analizuara nga ‘Scan Intel’, për vitin 2022, thuhet se Shqipëria përfitoi 1.8 mld dollarë të ardhura nga remitancat, duke u renditur kështu në vend të 69-të nga 175 shtete të tjera të marra në studim sa i përket nivelit të dërgesave. ‘Royal Ranking’ në indeksin për remitancat i është referuar kryesisht të dhënave nga “KNOMAD” ose Partneriteti Global për Migrimin dhe Zhvillimin, organ i cili funksionon si një grup pune i Bankës Botërore.

‘Scan Intel’ ka analizuar këto të dhëna për të parë se ku pozicionohet Shqipëria mes vendeve të rajonit sa i përket të ardhurave të hyra në vendin tonë në formën e remitancave. Shifrat bëjnë me dije se mes shteteve të rajonit Serbia është vendi me remitancat më të larta, përkatësisht me 5.4 mld dollarë dhe pasohet nga Bosnje Hercegovina me 2.4 mld dollarë. Në vendin e tretë mes vendeve të rajonit pozicionohet Shqipëria me 1.8 mld dollarë duke lënë pas Kosovën me 1.6 mld dollarë, Malin e Zi me 0.9 mld dollarë dhe në vend të fundit Maqedoninë e Veriut me 0.4 mld dollarë.

Dërgesat e emigrantëve drejt familjeve të tyre në atdhe prekën rekord historik përgjatë vitit 2022 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, kjo shifër sipas të dhënave të KNOMAD është ndjeshëm më e lartë se ajo që raporton Banka e Shqipërisë, për shkak të ndryshimeve në mënyrën se si përkufizohen remitancat. Por, gjithsesi, në të dyja rastet, nuk përfshihen kanalet jo-zyrtare të transferimit të parave (shiko këtu).

Kujtojmë se në vitin 2022, PBB-ja në Shqipëri ishte 18 mld dollarë, duke konstatuar kështu se remitancat përbëjnë rreth 10% të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Nga të dhënat e indeksit, India mban vendin e parë si shteti me nivelin më të lartë të remitancave, pasuar nga Meksika dhe Kina. Ndërkohë, vendet me nivelin më të ulët të remitancave janë Turkmenistani dhe Papa Guinea. Në total për 176 shtete u realizuan 794 miliardë dollarë, transferta nga shtetasit që punonin jashtë vendit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ku i bënë pushimet Shqiptarët? Analiza, nga destinacioni i preferuar deri tek vendi i origjinës së vizitorëve

Postimi mëparshëm

Sa vlen tregu i librit? Analiza e shtëpive botuese, rreth 16.7 milionë euro xhiro në vitin 2022

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.