Tregu i Punës

Punësimi, Shqipëria në fund të Europës/ Më pak se 7 në 10 shqiptarë në moshë pune, punojnë

0

Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” për tremujorin e parë të këtij viti flisinin për një shkallë punësimi, për popullsinë 15-64 vjeç, në 67.1%. Ky tregues, krahasuar me tremujorin paraardhës, rezulton të ketë shënuar rritje me 0.6 pikë përqindje. Sa i përket gjinisë shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73.0%, ndërsa për gratë është 61.4%. Rikujtojmë se shkalla e punësimit është raporti i të punësuarve 15-64 vjeç kundrejt popullsisë në moshë pune.

Por si rezulton ky tregues krahasuar me vendet e Europës referuar të dhënave për tremujorin e parë të vitit 2023? “Scan Intel” ka analizuar shifrat nga “Agjencia Europiane e Statistikave” mbi normën e punësimit për të parë se si është ky tregues mes vendeve të Europës.

Nga të dhënat rezulton se Shqipëria, me një shkallë të punësimit prej 67.1%, renditet mes gjashtë vendeve të fundit në Europë më normën më të ulët të punësimit për tremujorin e parë të këtij viti. Mesatarja e Bashkimit Europian po për të njejtën periudhë regjistrohet në 70.4%. Pra norma e punësimit në Shqipëri përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023 është rreth 3.5 pikë përqindje më e ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

Diferencat e këtij treguesi për Shqipërinë thellohen akoma më shumë kur e krahasojmë me vendet të cilat udhëheqin renditjen me normën më të lartë të punësimit. Në vend të parë renditet Islanda me një shkallë prej 82.9% pasuar nga Holanda me 82.3%. Zvicra, Malta dhe Suedia ndjekin në renditje përkatësisht me 79.9%, 78.1% dhe 77.7%.

Nga krahu tjetër i tabelës, përveç Shqipërisë, me shkallën më të ulët gjejmë pesë vende të Bashkimit Europian, që janë Kroacia dhe Belgjika me 66.7% secila, Spanja me 64.7%, Greqia me 61.7% dhe Italia me 61.2%.

Referuar këtyre të dhënave, shkalla e punësimit në Bashkimin Europian për popullsinë 15-64 vjeç ka shënuar rritje me 0.4 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar, vitit 2022.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Eurostat rrit ndjeshëm inflacionin/ Në Shqipëri panë 5.6% në Maj, nga 4.7% që thotë Instat

Postimi mëparshëm

Turizmi nuk e ndal ritmin/ 95% më shumë netë-qëndrime në hotele nga të huajt gjatë Prillit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.