Turizëm

Turizmi nuk e ndal ritmin/ 95% më shumë netë-qëndrime në hotele nga të huajt gjatë Prillit

0

Shifrat e strukturave akomoduese të publikuara nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se turizmi në vend ka patur një ecuri mjaft pozitive përgjatë katër muajve të parë të vitit. Të dhënat për muajin prill sërish flasin për një rekord si të numrit të vizitorëve ashtu edhe të numrit të netë qëndrimeve, nëse do ta krahasonim me të njejtin muaj të viteve të kaluara.

Në prill janë regjistruar gjithsej 115,033 vizitorë. Kjo shifër është jo vetëm më e lartë se prilli i vitit 2022 dhe 2021, por ka tejkaluar edhe prillin e vitit 2019-të dhe 2018-të, të cilët regjistronin rreth 103 mijë dhe 145 mijë vizitorë gjithsej. Po t’i analizojmë sipas tipologjisë së tyre, numri i turistëve vendas për muajin prill ka shënuar rritje me 26.5%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë dhe regjistrohen në rreth 47 mijë. Nga ana tjetër, numri i vizitorëve të huaj llogaritet gjithsej në rreth 67.6 mijë dhe rritja vjetore është 85.6%. Në total, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 55.6%, në krahasim me të njejtin muaj të një viti më parë.

Numri i vizitorëve të huaj të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 88.7%. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 88.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë. Numri i vizitorëve të huaj të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 80. %.

Numri i netë qëndrimeve në total është rritur me 81%, krahasuar me prillin e një viti më parë, ndërkohë që nëse e analizojmë sipas tipologjisë, netë qëndrimet nga vizitorët vendas paraqiten me rritje deri në 62.6%. Në shifra absolute numri i netë qëndrimeve gjithsej për muajin prill të vitit 2023 është regjistruar në 250,769 ndërkohë sipas tipologjisë së tyre janë regjistruar rreth 96 mijë netë qëndrime nga vizitorë të vendas, dhe 154 mijë netë qëndrime nga vizitorë të huaj, të cilat janë rritur me 94.9%. Shifrat që nga viti 2018-të tregojnë se numri i netë qëndrimeve për prillin e këtij viti ka prekur rekord, krahasuar me të njejtin muaj të 6-të viteve më parë.

Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve të huaj të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 2.1 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 2.3 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Vizitorët e huaj të cilët kanë zgjedhur si destinacion Shqipërinë për muajin prill të këtij viti janë kryesisht nga Kosova dhe zënë rreth 17%, Italia me 9.2%, Gjermania me 6.9%, Anglia me 3% dhe Turqia me 2.3%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Punësimi, Shqipëria në fund të Europës/ Më pak se 7 në 10 shqiptarë në moshë pune, punojnë

Postimi mëparshëm

Eksportet i “nënshtrohen” fatit të euros/ Bien me 11.7% në Maj, edhe pse u rritën në peshë. Importet në rritje

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.