Ekonomi

Privati, “dorëlëshuar” me rritjen e pagave? Instat: Në TIV 2022 rritje e ndjeshme e fondit të pagave nga biznesi

0

Shifrat nga “Instituti i Statistikave” në publikimin mbi statistikat afatshkurtra tregojnë se shërbimet gjatë tremujorit të fundit të vitit 2022 paraqiten me rritje pothuaj në të gjithë indekset, edhe pse e kanë ngadalësuar ritmin e tyre. Nga ana tjetër edhe prodhimi i të mirave paraqitet me rritje në një pjesë të mirë të indekseve. Sa i përket sektorit të shërbimeve, rritjen më të lartë përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2022 e kanë shënuar “Agjencitë e Udhëtimit”, “Informacioni dhe Komunikacioni” dhe “Hotelet” si rezultat i përformancës së mirë të sezonit turistik. Ajo që bie në sy në të gjitha sektorët e shërbimeve është rritja e ndjeshme e pagave. Kështu agjencitë e udhëtimit paraqesin një rritje të shitjeve neto me 44.2%, krahasuar me një vit më parë, e cila është dhe shifra më e lartë për këtë indeks nga të gjitha aktivitetet e marra në analizë. Rritje paraqet edhe indeksi i numrit të të punësuarve, me 25.4%, si dhe fondi i pagave me 50%. “Hotelet” po ashtu regjistrojnë rritje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022. Indeksi i shitjeve në volum për aktivitetin hotele është rritur me 16.7%, ndërsa nga ana tjetër, indeksi i numrit të të punësuarve është rritur me 15.1%. Fondi i pagave është rritur me 39%. “Informacioni dhe Komunikacioni” po ashtu rregjistron rritje dy shifrore. Indeksi i shitjeve neto për këtë sektor është rritur me 17.6%, ndërkohë numri i të punësuarve dhe fondi i pagave janë rritur me 21.8% dhe 46.2%.

“Bar-Restorantet” po ashtu paraqiten me rritje në të gjithë indekset, ku rritjen më të lartë e ka shënuar në indeksin e pagave me 23.1%. I vetmit tregues me rënie, sipas shifrave të INSTAT është indeksi i shitjeve neto në volum për aktivitetet arkitekturore dhe inxhinerike me 17%. Nga ana tjetër, vihet re se tregtia është sektori i cili ka ngadalësuar më shumë ritmin, ku indeksi i shitjeve neto në volum për tremujorin e fundit të vitit 2022 është rritur me vetëm 1.1% duke reflektuar konsum më të ulët si pasojë e rritjes së çmimeve, ndërsa indeksi i numrit të të punësuarve është rritur me 3.5%.

“Scan Intel”, nga ana tjetër, ka analizuar edhe treguesit tremujorë mbi prodhuesit e të mirave për tremujorin e katërt të vitit që lamë pas. Sipas “Institutit të Statistikave” volumi i shitjeve neto në sektorin e industrisë ka qenë në rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 1.4%. Në tërësi aktivitet prodhuese në vend për tremujorin e katërt të vitit 2022 paraqiten me rritje modeste, ndërkohë theksojmë se bizneset kanë rritur pagat, ku rritja më e lartë e tyre vërehet në sektorin e “Industrisë” me 18.3%.

Referuar shifrave duket se sektori i “Ndërtimit” ka qenë në ritme më të qëndrueshme përgjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Indeksi i shitjeve neto në ndërtim ka shënuar rritje me 16.1%, indeksi i prodhimit në volum është rritur me 18.5%, numri i të punësuarve është rritur me 2.3%, ndërsa fondi i pagave është rritur me 17.3%. Sa i përket grupit “Energji elektrike, Gaz, Avull” shitjet neto kanë rënë me 6.1%, ndërkohë indeksi i prodhimit në volum është rritur me 1.5%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kriza e çmimeve nuk e dëmtoi konsumin/ Tregtia me pakicë e mbylli vitin 2022 me rritje të shitjeve

Postimi mëparshëm

Eurostat “zbut” inflacionin/ Çmimet u rritën më pak se në Europë, por ushqimet ngjiten me 11.8% përgjatë muajit shkurt

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.