Tregti

Kriza e çmimeve nuk e dëmtoi konsumin/ Tregtia me pakicë e mbylli vitin 2022 me rritje të shitjeve

0

Të dhënat e “Institutit të Statistikave” flasin për rritje të shitjeve në tregtinë me pakicë përgjatë tremujorit të fundit të vitit 2022. Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është 137.1 dhe rritja regjistrohet në 3.9%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit pararendës. Edhe në terma tremujorësh, volumi i shitjeve me pakicë shihet të ketë pësuar rritje, me 0.9% gjatë tremujorit të katërt të këtij vit, kahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022.

Pavarësisht rritjes vjetore dhe tremujore, ndryshimi mujor i indeksit të shitjeve në tregtinë me pakicë paraqitet negativ. Volumi i shitjeve nga muaji nëntor 2022 në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka pësuar rënie me 0.9%.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e katërt 2022 është rritur me 3.8 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2021. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4.5%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021. Nga ana tjetër volumi i shitjeve për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” është rritur 3.4%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara” volumi i shitjeve është rritur me 4.7%.

Sa i përket ndryshimit tremujor të shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” është rritur me 0.5%, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht është rritur me 0.8% krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara” volumi i shitjeve i përshtatur sezonalisht është rritur me 0.8%, kundrejt tremujorit të tretë 2022.

Edhe pse në terma vjetorë dhe tremujorë të dhënat tregojnë se volumi i shitjeve të hidrokarbureve paraqitet me rritje, nga ana tjetër në terma mujorë shohim rënie. Gjatë muajit dhjetor volumi i hidrokarbureve ka rënë me 0.5% krahasuar me nëntorin. Rënie e volumit të shitjeve për hidrokarburet regjistrohet edhe gjatë muajit nëntor, krahasuar me muajin tetor, me 1.7%.

Por cilat janë grupet të cilat kanë ndikuar në rritje e tregtisë më pakicë? Në ndryshimin vjetor të regjistruar prej 3.9%, ndikimin më të madh e ka patur “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 1.5 pikë përqindje. Grupet “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” dhe “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” shihet të kenë dhënë kontribut përkatësisht me 1 pikë përqindje dhe 1.4 pikë përqindje.

Në të 4-tët tremujorët e vitit të kaluar, tregtia me pakicë ka regjistruar rritje të shitejeve në volum, në terma vjetorë, prej 5.2% në tremujorin e parë, 6.1% në tremujorin e dytë, 4.6% në të tretin dhe 3.9% në tremujorin e fundit, duke sinjalizuar se kriza e çmimeve në vendin tonë përgjatë vitit 2021 nuk e ka dëmtuar konsumin, të paktën sa i përket shitejeve me pakicë, dhe që përfaqësojnë konsumin e familjeve. Madje, asnjë prej nën-indikatorëve, në asnjë tremujor nuk regjistron rënie. Kjo është edhe rrjedhojë e rritjes së çmimeve, pasi bizneset kanë shitur me çmime më të kripura, duke u reflektuar në këto shifra.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Jeta e shqiptarëve “shkurtohet” me 1.9 vite/ Jemi ndër 5 vendet me rënien më lartë të jetëgjatësisë në Europë

Postimi mëparshëm

Privati, “dorëlëshuar” me rritjen e pagave? Instat: Në TIV 2022 rritje e ndjeshme e fondit të pagave nga biznesi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.