Ekonomi

Paga mesatare arrin në 60,666 lekë në muaj/ Rreth 1100 lekë rritje në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë

0

Paga mesatare bruto në Shqipëri për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, llogaritet në 60,666 lekë. Kështu, shifrat e publikimit të “Institutit të Statistikave” mbi statistikat e pagave sinjalizojnë se paga mesatare bruto përgjatë tremujorit të dytë të këtij vitit është rritur me 7.0%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e dytë të vitit 2021, paga mesatre bruto llogaritej në 56,710 lekë. Rritje vihet re në të gjitha degët për këtë tremujor nëse ndryshim vjetor do ta krahasonim sipas aktiviteteve ekonomike. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë vihet re se rritjen më të madhe e ka regjistruar paga në aktivitetin “Ndërtimi” me 13.4%. Aktiviteti i dytë i cili sinjalizon rritjen më të lartë të pagës përgjatë tremujorit të dytë është “Tregtia” me 13%, ndjekur nga “Bujqësia” me 11.6%. Të dhënat tregojnë se aktiviteti me ritmin më të ulët sa i përket rritjes së pagave është “Administrata publike dhe mbrojtjës; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 0,1%”.

Rritja në nivelin e pagave bruto vërehet edhe nëse do ta krahasonim me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e parë të vitit. Paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë, krahasuar me të parin, është rritur me 2.4%. Në tre muajt e parë të vitit fiksohej pranë 59.542 lekëve. Pra, kemi të bëjmë me 1124 lekë rritje të pagës bruto në muaj. Rritjen më të lartë e ka shënuar “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” me 14.5%, ndjekur në radhë nga “Industria” me 5.1%. Megjithatë, nga analiza e të dhënave vihet re se jo të gjitha aktivitet ekonomike kanë pësuar rritje të pagës në terma tremujorësh. Për aktivitetin “Tregtia, transporti dhe akomodimi” pagat kanë rënë me 0.7%. Nga ana tjetër, rënie e pagës regjistrohet edhe në aktivitetin “Informacioni dhe Komunikacioni” me 4.7%.

Por si paraqitet niveli i pagës mesatare bruto sipas aktiviteteve dhe profesioneve nëse do të flisnim në terma absolutë? Shifrat tregojnë se “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” regjistrojnë pagën më të lartë bruto gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022 me 130,872 lekë. Aktiviteti i dytë me pagën më të lartë të regjistruar është “Informacioni dhe Komunikacioni” me 96,789. “Administrata” vjen e dyta në renditjen me pagën mestare bruto më të lartë me 68,389 lekë. Ndërkohë bujqësia nuk befason as këtë tremujor duke u renditur sërish në vend të fundit si aktiviteti me pagën me të ulët në rreth 40,044 lekë”. Nëse do të largohemi nga analiza për aktivitet, për të kaluar në nivelin e pagës sipas grup-profesioneve shohim se pagën më të lartë e ka regjsitruar profesioni “Manaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” me 102,156, ndjekur nga “Specialistë me arsim të lartë” me 79,925 lekë. Punonjësit e bujqësisë si dhe punëtorë në profesione elemetare janë profesionet më pak të paguara përgjatë tremujorit të dytë të vitit.

Pavarësisht rritjes së pagave lind pyetja se sa e balancon kjo rritje nivelin e çmimeve në një kohë që për muajin gusht inflacioni është regjistruar në 8%? Shifrat për tremujorin e dytë sa i përket pagave duket se indeksohen bashkë me inflacionin, megjithatë mund të themi se akoma ekziston raporti i zhdrejtë pagë-çmimi, duke shtuar këtu edhe pasiguritë në tregun e punës, por edhe pasiguritë për të ardhmen.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Numri i nxënësve në rënie çdo vit/ Rreth 4% më pak fëmijë në klasë të parë dhe 9% më pak gjimnazistë në klasë të dhjetë

Postimi mëparshëm

Bie papunësia, por vetëm për burrat/ Pranë 11.1%. Rritet për të rinjtë dhe për gratë dhe vajzat

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.