Financë

Ku i çon paratë qeveria? Ndër 100 lekë të shpenzuara, 25 lekë shkojnë për `pensionet`, 22 lekë për administratën, dhe vetëm 16.5 lekë për investime

0

Së fundmi, “Scan Intel” analizoi zërat kryesorë buxhetorë që mbajnë arkën e shtetit, pra të ardhurat, nga ku rezulton se thuajse 1/3-ta vjen nga TVSH (shiko këtu). Tashmë, do të trajtojmë anën tjetër të medaljes, shpenzimet, për të kuptuar se ku i kanalizon qeveria paratë që mbledh nga qytetarët dhe biznesi. Në analizë janë marrë treguesit fiskal të vtiti 2021 si të plotë, por edhe ato të vitit 2020 si dhe të 7 muajve të parë të këtij viti, për të kuptuar tendencën e shpenzimeve.

Shifrat tregojnë se thuajs ¼-ta e shpenzimeve të qeverisë shkon për pensionet, ose më saktë 24.8%. Pra, për çdo 100 lekë të shpenzuara nga qeveria shqiptare, gati 25 lekë shkojnë për pensionet. Shpenzimet kapitale, pra investimet, renditen në vend të dytë, me 16.5% të totalit të shpenzimeve vjetore. Në vend të tretë ndërkohë janë pagat e administratës, me 11.9% të totalit. Në vend të 4-tët, me plot 10% të totalit radhiten shpenzimet operative të mirëmbajtjes, që janë kryesisht para të kanalizuara për administratën. Pra, me paga dhe shpenzime operative, administrata shtetërore merr çdo vit, rreth 22% të totalit të shpenzimeve, ose 22 lekë ndër 100 të shpenzuara. Më pas në renditje, në vend të 5-të në klasifikimin e zërave sipas peshës në shpenzimet e qeverisë në vit, gjejmë “shpenzimet për buxhetin vendor”, pra paratë që i shkojnë pushtetit lokal, bashkive, të cilat veç fondeve të tyre të brendshme, që janë rrjedhojë e taksave dhe tarifave lokale, kanë nevojë të thithin edhe 8.8% të totalit të shpenzimeve të qeverisë në vit. Në vend të 6-të ndërkohë renditen sigurimet shëndetësore, me 8.2% të totalit. Me rreth 6% të totalit ndjekin interesat e borxhit që qeveria paguan ndaj huadhënësve, të brendshëm apo të jashtëm. Më tej në renditje ndjek fondi i rindërtimit, që ka përthithur 5% të totalit të shpenzimeve të qeverisë gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë, zëra si ndihma ekonomike, zënë vetëm 4% të totalit. Nga analiza e shifrave vëmë re gjithashtu se, bonusi i lindjeve, përfaqëson 0.6% të totalit të shpenzimeve, dhe pagesa e papunësisë vetëm 0.2%, pra tre herë më pak. Kompensimi për ish-të përndjekurit dhe ish-pronarë nuk përbn më shumë se 0.6% të shpenzimeve në total. Covid-19 me paketën sociale kanë kushtuar vetëm 0.1% të buxhetit të shpenzimeve të qeverisë në vit, gjatë 2021-shit. Fondi i shpronësimeve ndërkohë përbën vetëm 0.5% të totalit.

Nga analiza e shifrave për vitin 2020 ndërkohë shohim se diferencat janë minimale. Në renditje nuk ka ndryshime, përveç disa luhatjeve mjaft minimale në peshën e secilit zë. Ndryshime ndërkohë vëmë re sa i përket vitit aktual, por duhet theksuar se në analizë janë marrë vetëm 7 muajt e parë të vitit. Shpenzimet kapitale, të cilat vjet përbënin 16.5% të totalit, këtë vit kanë zbritur në vetëm 12% deri më tani. Pagat ndërkohë janë rritur nga 24.8% vjet, në 12.3% këtë vit. Sigurimet shoqërore janë ngjitur ndjeshëm, pranë 27%. Vihet re një rënie e peshës së pagesës së papunësisë, si dhe një rritje e shpenzimeve operative të mirëmbajtjes apo shpenzimeve për buxhetin vendor, mbi 9% secila.

Pra, paratë që qeveria mbledh çdo vit nëpërmjet taksave, tarifave dhe mekanizamve të tjerë, përfshirë huamarrjen, i kthehen qytetarëve nëpërmjet shpenzimeve. Analiza e shifrave tregon se ¼-ta e totalit të parave që qeveria shpenzon në vit shkon për pensionet, pra sigurimet shoqërore, që nuk përfshijnë vetëm pensionin e pleqërisë, por edhe shumë zëra të tjera, deri te barrëlindja. Në vendet e zhvilluara, kryesisht ato të OECD, kjo normë nuk i kalon 18%. Madje, në vendet më problematike të Bashkimit Europian sa i përket financave publike, si Greqia apo Italia, pensionet i rëndojnë buxhetit të shpenzimeve jo më shumë se 16% të totalit. Një pjesë e konsiderueshme, prej 22% shkon për administratën, ku gjysmën e përbëjnë pagat dhe gjysmën tjetër shpenzimet operative, si rikonstruksion zyrash, apo material dhe shërbime të tjera të cilat i shërbejnë funksionimit të administratës. Ndërkohë, në një kohë që thuajse gjysma e parave që qeveria shpenzon në vit shkojnë vetëm për pensionet, pagat dhe kostot e tjera të administratës, vetëm 16.5% shkon për investime të mirëfillta, të cilat janë kryesisht infrastrukturore.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Llogarit nivelin e alkolit në gjak/ Manual për drejtuesit e mjeteve, nga niveli i lejuar, krahasimi me Europën e deri te masat ligjore

Postimi mëparshëm

Korriku, rekord vizitorësh/ Rriten me 21.8% akomodimet krahasuar me 2019-ën, më shumë edhe netë qëndrimet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.