Financë

Kreditë me probleme i rikthehen rënies në maj/ Zbritën në 4.81%, përmirësohet cilësia e portofolit të huave

0

Në muajin maj të këtij viti, kreditë e pashlyera në afat kanë shënuar një rënie të lehtë, pas rritjes që patën gjatë prillit, duke shfaqur kështu sinjale të qarta të përmirësimit të financave të konsumatorëve apo bizneseve që paguajnë në kohë detyrimet e huave.

Të dhënat e “Bankës së Shqipërisë” mbi treguesit e shëndetit financiar për muajin maj të vitit aktual, tregojnë se sektori bankar ka regjistruar më pak kredi të reja me probleme. Konkretisht, treguesi i kredive me probleme në muajin e pestë të vitit arriti në 4.81%, një ulje e konsiderueshme nga 5.23% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e aftësisë paguese për debitorët e bankës mund të ketë ardhur si pasojë e uljes së inflacionit. Rikujtojmë se gjatë muajit maj ky tregues makroekonomik regjistroi një nivel mesatar prej 2.1%.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar edhe tendencën e raporteve të tjera të kreditimit. Shifrat thonë se gjatë periudhës janar-maj të vitit 2024, në përgjithësi, raportet e kredive me probleme kanë shfaqur një tendencë rënëse. Raporti i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator ra me 7.8% krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar, ndërkohë raporti i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit aksioner  është ulur me 10.5%.

Ky përmirësim i debitorëve që paguajnë në kohë detyrimet e huave është reflektuar edhe në rritjen e performancës financiare në sektorin bankar. Përkatësisht, raporti  ROE (Kthimi mbi kapitalin aksioner) është rritur me 23.7% brenda vitit. Raporti ROE  tregon shkallën e efiçensës me të cilen banka po përdor  kapitalin aksioner.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Bumi i ndërtimit dhe pasuritë e paluajtshme rrisin PBB/ Në tremujorin e parë të vitit, ekonomia u rrit me 3.63%

Postimi mëparshëm

Bie numri i të vetëpunësuarve në vitin 2023/ Zënë 29.7% të peshës, nga 31.5% që ishte një vit më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.