Financë

Kreditë me probleme e mbyllin vitin me sukses/ Dhjetori rikthen tendencat rënëse, treguesi ulet në 5%

0

Sipas statistikave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, norma e kredive me probleme ka shënuar rënie me 0.05 pikë përqindje gjatë muajit dhjetor, duke shkuar në 5%. Shifrat zyrtare sinjalizojnë rikthimin e tendencave rënëse. Megjithatë, kjo vlerësohet si një rënie shumë e lehtë duke konsideruar faktin që gjatë këtij muaji bankat aplikojnë fshirjen nga bilancet të kredive të humbura. Krahasuar me një vit më parë, treguesi i kredive me probleme ka pësuar një rënie prej 0.65 pikë përqindje, nga 5.65% që ishte në dhjetorin e 2021-shit.

Përgjatë vitit, norma e kredive me probleme është dominuar nga ritme rënëse, përveç muajve prill dhe nëntor ku pati rritje të vogla, përkatësisht me 0.22 pikë përqindje dhe 0.05 pikë përqindje krahasuar me peridhat paraardhëse. Në përfundim të 2022-shit, mesatarisht norma e kredive me probleme që kanë shoqëruar vitin, është në vlerën e 5.24%. Mbizotërimi i tendencave rënëse duket sikur po synohet të shkohet në nivelet e para krizës botërore ku mesatarisht kjo normë për vitin 2008 ishtë në vlerën 4.4%.

Treguesi i huave me probleme ndaj totalit të huave, ka pësuar ndryshime të konsiderueshme përgjatë viteve, në varësi të rrethanave dhe ngjarjeve ekonomike që kanë shoqëruar vendin. Kujtojmë këtu vlerën më të lartë të normës së kredive me probleme që u shënua në shtator të vitit 2014, në 25% të kredive bruto. Një rritje e tillë erdhi si rezultat i pasojave të vonuara që preken ekonominë e vendit tonë për shkak të krizës financiare globale të 2007-të dhe 2008-tës.

Nga ana tjetër, ndonëse vendi po përjeton sfida të ndryshme makroekonomike (nivelet më të larta të inflacionit dhe nga një rritje e shpejtë e normave të interesit në tregun e brendshëm financiar) duket që këto “vështirësi” nuk kanë depërtuar në shtimin e kredive me probleme duke dëshmuar një sistem bankar të shëndetshëm dhe të mirë menaxhuar. Qëndrueshmëria e normës së kredive me probleme sjell një sërë aspektesh pozitive si nga ana e besimit të konsumatorit, por edhe në klimën e përgjithshme të biznesit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni, me rënie modeste/ Zbret në 7.2% në Janar. Por, ushqimet, 13.3% më të shtrenjta

Postimi mëparshëm

Lindjet prekin rekordin më të ulët në 32 vite/ Ranë me 13% gjatë vitit 2022, pesimiste edhe shtesa natyrore

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.