Ekonomi

Bizneset, 3.3 miliardë lekë fitime /Tregtia dhe energjia elektrike me performancën më të lartë

0

INSTAT ka publikuar së fundmi të dhënat nga “Anketa Strukturore pranë Ndërmarrjeve” të cilat na sigurojnë një rezyme më të qartë mbi strukturën ekonomike, financiare dhe karakteristikave kryesore të ndërmarrjeve të regjistruara në regjistrin statistikor për periudhën Janar-Dhjetor 2022.

Shifrat tregojnë se në vitin 2022, kanë rezultuar aktive 113,460 ndërmarrje ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke shënuar një rritje me 9.1%, krahasuar me vitin 2021. Nga ndërmarrjet në total, 13% janë ndërmarrje të prodhuesve të të mirave, dhe 87% të prodhuesve të shërbimeve. Krahasuar me pesë vitet e fundit, pesha në përqindje mes prodhuesve të të mirave dhe shërbimeve ka qënë e qëndrueshme dhe ndryshimet nga viti në vit kanë qënë thuajse të papërfillshme.

Nëse do të bëjmë një analizë të strukturës së treguesve bazë sipas aktiviteteve ekonomike për prodhuesit e shërbimeve në vitin 2022, themi se në sektorin e shërbimeve, ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet tregtar zënë përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve me 30.3% ndërsa “transporti, informacioni dhe komunikacioni” zë vetëm 10.3%. Ndërkohë, në sektorin e prodhimit të të mirave, përqindjen më të lartë të numrit të ndërmarrjeve e zë “industria përpunuese me 50.9%” dhe pas saj renditet  “ndërtimi” me 39.1%, ndërsa zënë një peshë më të vogël “industria nxjerrëse” dhe “energjia elektrike, uji, gazi dhe trajtimi i mbetjeve” me 5.2% dhe 4.8% respektivisht.

Përveç numrit të ndërmarjeve me status aktiv gjatë vitit një tjetër tregues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik është edhe se sa individë janë punësuar nga këto ndërmarrje. Numri i të punësuarve gjithsej në vitin 2022 është 547,942, duke u rritur me 5.5%, krahasuar me vitin 2021. Sipas shifrave më shumë të punësuar janë në sektorët ”tregti”,”akomodim dhe shërbim ushqimor, transport dhe komunikacion” dhe ”shërbime të tjera”, të cilët zënë 64.8% të numrit të të punësuarve gjithsej, ndërsa në sektorët ”industri nxjerrëse”, ”industri përpunuese”, ”energji, ujë, trajtimi i mbetjeve” dhe sektorin e ”ndërtimit” të punësuarit zënë 35.2%.

Referuar të dhënave të gjashtë viteve të fundit, rezulton se treguesit e punësimit janë përmirësuar nga viti në vit, përjashtuar vitin 2020 ku pati një rënie me 26,867 më pak të punësuar, ose 5% krahasuar me vitin paraardhës pra vitin 2019. Një tjetër tregues i rëndësishëm financiar që lidhet me performancën e këtyre ndërmarrjeve gjatë vitit 2022 janë edhe shitjet neto. Shitjet neto në vitin 2022 arritën vlerën 3.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 26.7% ndaj vitit 2021. Shitjet më të larta neto u realizuan nga  prodhuesit e shërbimeve të cilët përbëjnë 64.7% të shitjeve neto gjithsej.

Por si kontribuan sektorët e prodhimit dhe ato të të mirave në rritjen totale prej 26.7%? Në këtë rritje kontributin më të lartë e ka dhënë “Tregtia” me 10.9 pp dhe “Energjia elektrike” me 4.7 pp. Ndërkohë, më pak ka kontribuar “ndërtimi” dhe “industria nxjerrëse” me 1.1 pikë përqindje dhe 1 pikë përqindje të shitjeve gjithsej.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Investimet Amerikane në Shqipëri/ Në vitin 2023 vlera e tyre ishte 3 herë më e lartë se në vitin 2019-të

Postimi mëparshëm

Si ndryshuan lindjet në 10 vite? Ranë me 37% në shkallë kombëtare, në disa qarqe gati u përgjysmuan

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.