Ekonomi

Inflacioni barazon mesataren e BE-së/ Çmimet në shkurt u shtrenjtuan me 2.8%. Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon

0

Në muajin shkurt të vitit 2024, të dhënat e publikuara nga INSTAT mbi inflacionin e matur sipas metodës europiane konfirmojnë një rritje më të ngadaltë të çmimeve në vendin tonë, pasi në muajt paraardhës treguesi i inflacionit ka qenë mbi mesataren e Bashkimit Europian. Ndërkohë, sipas shifrave, në shkurt Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit barazoi mesataren e Bashkimit Europian. Rikujtojmë se në Janar ky indeks ishte 3.8%, përkundrejt 3.1% në Bashkimin Europian.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 6% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4.1%, “Shërbimi arsimor” me 4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.7% dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.4 %. Po ashtu u paraqitën me rritje grupet “Veshje dhe këpucë” me 2.9%, “Shëndeti” me 2.6%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji ” me 0.8% dhe “Komunikimi” me 0.3%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1.2%.

Në rritjen vjetore të këtij indeksi kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet përveç transportit. Kontributin më të lartë e dhanë grupet si “Ushqime dhe Pije joalkolike” me 0.85 pp, “Argëtim dhe kulturë” me 0.54 pp dhe ”Hotele, restorante dhe kafene” me 0.45 pp. Ndërkohë, grupet e tjera kanë kontribuar më pak në rritjen e këtij indeksi, ku ky kontribut varion nga 0.01 pp për grupin “Komunikim dhe në 0.23 pp për grupin “ Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë’’.

‘Scan Intel’ ka analizuar gjithashtu të dhënat për të parë sesi renditet Shqipëria mes vendeve të Europës. Shifrat e publikuara tregojnë një mesatare të rritjes vjetore të çmimeve në Bashkimin Europian përgjatë muajit Shkurt me 2.8%, duke e renditur Shqipërinë në vijën e mesatares së BE-së. Nga ana tjetër, shifrat pozicionojnë Turqinë, Rumaninë dhe Kroacinë si shtetet me rritjen më të lartë të çmimeve për muajin shkurt. Rritja e çmimeve në këto shtete ishte afërsisht sa dyfishi i mesatares së BE. Konkretisht në  Turqi inflacioni arriti në 67.1%, në Rumani inflacioni arriti në 7.1% dhe në Kroaci 4.8%. Ndërsa në nivel rajonal, në Serbi inflacioni ishte dyfish më i lartë se në vendin tonë. Konkretisht në vendet e rajonit, inflacioni arriti në 5.7% në Serbi, 4.9% në Malin e Zi dhe 3.9% në Maqedoninë e Veriut.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Konsumi gjatë festave “gjallëroi” tregtinë me pakicë/ Indeksi u rrit me 6.7% në dhjetor 2023, krahasuar me nëntorin

Postimi mëparshëm

Shqipëria mikpriti turistë edhe në dimër/ Strukturat akomoduese patën rreth 42% më shumë vizitorë të huaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.