Transport

Çmimet “godasin” shifrat e transportit/ INSTAT: Deri në 40% më pak mallra gjatë gushtit, por më shumë pasagjerë dhe fluturime

0

Muaji gusht i këtij viti vijon të reflektojë rritjen e çmimeve në shifrat e transportit të mallrave. Të dhënat nga Instituti i Statistikave mbi shifrat e transportit sinjalizojnë rënie deri në 40% të volumit të mallrave të transportuara në rrugë detare, e cila zë dhe peshën më të madhe të transportit me 65.3%, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Rënia e volumit të mallrave në rrugë detare vërehet edhe përgjatë tetëmujorit të vitit 2022, krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit të kaluar me 17.6%. Ndërkohë, shifrat e tregtisë së jashtme për muajin gusht të këtij viti flasin për një rritje në vlerë të importeve me 30.8%, po ashtu edhe të eksporteve me 48.1%. Me rënie gjithashtu paraqitet edhe volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë. Për muajin gusht kjo rënie regjistrohet në 3.9%, krahasuar me gushtin e vitit 2021, ndërsa përgjatë tetëmujorit të këtij viti regjistron rënie me 27.4%. Nga ana tjetër volumi i mallrave të transportuara me ajër nuk ka shënuar të njejtin ndryshim duke regjistruar rritje përgjatë gushtit me 4.9%. Volumi i mallrave të transportuara me ajër regjistron rritje edhe në periudhën janar-gusht me 0.3%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshe nga shifrat e transportit të mallrave paraqiten ato të transportit të pasagjerëve. Të dhënat tregojnë se rritjen më të madhe e kanë regjistruar pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja detare, me 43.2%, krahasuar me gushtin e një viti më parë. Pasagjerët në linja ajrore po ashtu kanë shënuar rritje me 22.9% gjatë gushtit, ndërkohë që me rënie paraqiten pasagjerët e linjave hekurudhore me 95.2%. Por si paraqiten shifrat për periudhën janar-gusht? Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se rritjen më të madhe gjatë kësaj periudhe e kanë pasagjerët të cilët kanë udhëtuar në linja ajrore me 95.2%, ndërsa pasagjerët në linja detare janë rritur me 59.1%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Numri i fluturimeve ashtu si ai i pasagjerëve paraqitet pozititv përgjatë gushtit të vitit 2022. Fluturimet e kryera janë 4,726 duke pësuar rritje me 15.1%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje vërehet edhe përgjatë tetë muajve të vitit me 63.6%. Këto ndryshime pozitive si në numër pasagjerësh ashtu edhe në numër fluturimesh mbështeten edhe nga të dhënat e lëvizjes së shtetasve të cilët përgjatë gushtit regjistronin rekord.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shifrat thonë se ky sezon ka qenë rekord për turizmin/ Regjistrohen rreth 689 mijë hyrje më shumë se në vitin 2019-të

Postimi mëparshëm

BERZH rifreskon projeksionet për Shqipërinë/ Ekonomia po “mbahet” falë kreditimit, turizmit dhe remitancave

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.