Raporte

BERZH rifreskon projeksionet për Shqipërinë/ Ekonomia po “mbahet” falë kreditimit, turizmit dhe remitancave

0

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka mbajtur të pandryshuar projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit, pranë 3%, por ka shkurtuar projeksionet për vitin e ardhshëm, thuhet në raportin më të fundit të institucionit mbi perspektivën ekonomike të vendeve që mbulon. Kështu, për vitin e ardhshëm projeksionet për rritjen ekonomike janë shkurtuar me 0.3 pikë përqindje, dhe tashmë parashikohet një rritje e njëjtë me vitin aktual, pranë 3%.

“Rritja e fortë e kreditimit për sektorin privat, dhe qëndrueshmëria e remitancave vijojnë të mbështesin investimet dhe konsumin familjar. Sektori i turizmit është drejt një viti rekord, me hyrjet e turistëve të huaj dhe netë-qëndrimet që janë mbi nivelet e para-pandemisë në gjysmën e parë të vitit 2022”-thuhet mes reshtave në raport.

Krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria bashkë me Kosovën figurojnë si vendet ku kriza pritet të ketë impaktin më të vogël, pasi rezultojnë si dy shtetet me shkurtimin më të vogël të projeksioneve. Sa i përket normave të rritjes ekonomike ndërkohë, Shqipërisë këtë vit por edhe vitin e ardhshëm projektohet t`ia kalojë Serbia, Kosova dhe Mali i Zi. Këtë vit, rritja ekonomike në vendin tonë parashikohet të jetë 0.7 pikë përqindje mbi mesataren e vendeve që mbulon BERZH, ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet të jetë në linjë me mesataren, pranë 3%. Asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk parashikohet në recesion këtë vit apo vitin e ardhshëm.

Një prej arsyeve që ka ndikuar më së shumti në mos shkurtimin e ndjeshëm të projeksioneve për ekonominë shqiptare, sidomos krahasuar me disa prej vendeve të rajonit, duket të jetë pikërisht norma e inflacionit. Kjo e fundit në vendin tonë aktualisht fiksohet pranë 8%, dhe pavarësisht faktit se përbën një rekord prej më shumë se 2 dekadash, mbetet ndër më të ultat në rajon.

Parashikimet e institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë dhe vendet e tjera bazohen mbi statistikat kombëtare që vetë këto vende prodhojnë, pa vënë në pikëpyetje cilësinë e tyre. Norma e inflacionit në vendin tonë këtë vit ka ngritur jo pak pikëpyetje.

Raporti i BERZH merr në analizë 36 shtete, kryesisht ish-republika sovjetike, vende ish jugosllave, apo vende të cilat kanë pasur një të shkuar nën diktaturë. Ndër to gjejmë edhe Ukrainën dhe Rusinë, dy shtete të cilat sot janë në luftë, dhe që si rrjedhojë e kësaj lufte kanë sjellë një ngadalësim të përgjishshëm të ekonomisë globale. Sa i përket projeksioneve ekonomike për Ukrainën, raporti flet për një recesion pranë -30% këtë vit, si dhe për një rritje ekonomike pranë 8% vitin e ardhshëm. Për Rusinë ndërkohë, projeksionet flasin për rënie të ekonomisë prej 5% këtë vit dhe 3% vitin e ardhshëm.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet “godasin” shifrat e transportit/ INSTAT: Deri në 40% më pak mallra gjatë gushtit, por më shumë pasagjerë dhe fluturime

Postimi mëparshëm

Kreditimi vijon me ritme rekord/ Gushti “thyen” tendencën historike, financim i lartë për individët, sidomos për blerje banese

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.