Ekonomi

Çmimet e prodhimit rriten më shumë se të importit/ Rritja u ndikua kryesisht nga industria nxjerrëse dhe energjia

0

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dy tregues të rëndësishëm si indeksi i çmimit të prodhimit dhe indeksi i çmimit të importit kanë shënuar rritje në tremujorin e tretë të këtij viti.

‘Scan Intel’ ka analizuar këto të dhëna për të kuptuar sesi varion rritja dhe cilët janë zërat që e shkaktojnë atë. Në tremujorin e tretë të vitit 2023, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti në 131,2. Në terma vjetorë kjo rritje përllogaritet të jetë 5.2%, ndërkohë krahasuar me tremujorin paraardhës kjo rritje është vetëm 0.5%.

Krahasimisht me tremujorin e tretë  të vitit 2022, shifrat  tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse”me 8.5%, pasuar nga seksionet, “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 6.4%, dhe  “Industri përpunuese” me 4.4%. Brenda seksionit të fundit, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 19.8% përkatësisht.

Kjo rritje është reflektuar jo vetëm në produktet që tregtohen brenda vendit, por edhe jashtë tij. Përsa i përket këtij indeksi për produktet të cilat ofrohen në tregun vendas themi se rritja vjetore ka qenë 7.2% dhe rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” me 13.6%, pasuar nga seksionet “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 8.6%, “Industria Përpunuese” me 6.7% dhe “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0.6%.

Edhe për produktet që tregtohen në vendet partnere, pra për produktet që eksportohen, ky indeks ka shfaqur rritje të konsiderueshme. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit që lamë pas, pra vitit 2022 indeksi shënoi rritje me 1.9%. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 14%, pasuar nga seksioni “Industria Përpunuese” me 1.7%.

Nga ana tjetër, indeksi i çmimeve të importit në tremujorin e tretë të vitit 2023 arriti në 112.3. Krahasuar me të njëjtin  tremujor të vitit 2022, indeksi i çmimeve të importit shënoi një rritje me 0.7%. Rikujtojmë se një vit më parë ky ndryshim ishte 8.1% . Kjo rritje është pasqyruar në të gjitha seksionet, ku peshën kryesore rreth 90.6% e zë seksioni “Industria përpunuese”, për të cilin konstatohet një rritje me 0.7%. Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimit vërehet në produktet “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 3%. Ndërkohë që çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” shënuan një rritje me 1.0%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria mbetet pas me teknologjinë/ Vetëm 20.1% e ndërmarrjeve përdorën shërbimet Cloud, në BE rreth 41%

Postimi mëparshëm

Paga mesatare arrin në 71,486 lekë/ Instat: Vlerat më të larta të rritjes për punonjësit e shtetit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.