Financë

Cilat biznese morën më shumë kredi në 2022-shin? Tregtia vijon në vend të parë, por me rënie, ndërtimi i dyti, me 20% të totalit

0

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë për vitin 2022 vihet re një rënie e huave të reja të dhëna gjatë dhjetorit drejt bizneseve dhe korporatave jofinanciare private të cilësuara sipas aktivitetit të tyre ekonomik. Kështu, gjatë muajit dhjetor flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 22.4 miliardë. Krahasur me dhjetorin e vitit të kaluar, kemi një rënie prej 15%, ose e thënë në vlerë absolute, me 3.8 miliardë lekë. Megjithatë, muaji dhjetor shënon nivelin më të lartë të huave të reja të shpërndara përgjatë 2022-shit.

Nga ana tjetër, nëse e shohim vlerën totale të huave të shpërndara gjatë vitit që lamë pas vlera fikoshet në 186.9 miliardë lekë, krahasuar me 172.1 miliardë lekë të shpërndara si hua për biznese të sektorëve të ndryshëm ekonomik për 2021-shin. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një rritje prej 9% të financimit me kredi nga njëri vit në tjetrin. Krahasuar me 5 vitet e fundit, 2022-shi shënon vlerën e 3-të më të lartë, pas 2017-ës dhe 2018-tës.

Përsa i përket sektorëve që janë mbështetur më së shumti nga kreditë e shpërndara gjatë 2022-shit shohim që mbizotëron “Tregtia me shumicë dhe me pakicë”, me 34% ose 63.6 miliardë lekë, ku krahasuar me një vit më parë zinte 41%, duke pësuar një ulje prej 7 pikë përqindje. Tregtia, pavarësisht se qëndron në vend të parë, ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit. “Ndërtimi” është sektori i dytë në nivel huash të reja, me 20%. Për ndërtimin, analiza e shifrave tregon se ka regjistruar një rritje të lehtë, me vetëm 0.57 pikë përqindje krahasur me vitin e kaluar.

Peshë të konsiderueshme të kredive të reja zënë “Industria përpunuese”, me 11.3% dhe “Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 9.3%, ku kjo e fundit ka pësuar një rritje me 4.92 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar. “Aktivitete të tjera shërbimi” është një sektor që ka marrë 6.31% të kredive të reja të financuara gjatë vitit. Pjesa tjetër e sektorëve mbulon vetëm 19% të kredive, ku sektorë si “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, “Informacioni dhe komunikacioni”, “Transporti dhe magazinimi”, “Bujqësia, Pyjet, Peshkimi” dhe “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” përbëjnë nga 1% deri në 5% të kredive të financuara.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Energjia e rinovueshme, Shqipëria humbet “terren”/ Bie krahasuar me vitin 2020-ën, por mbetemi të parët në rajon dhe ndër të parët në Europë

Postimi mëparshëm

Kush fitoi dhe kush humbi nga kriza? Vlonjatët, të vetmit me rënie të kursimeve. Durrsakët dhe lezhjanët rritën depozitat deri në 8%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.