Financë

Kush fitoi dhe kush humbi nga kriza? Vlonjatët, të vetmit me rënie të kursimeve. Durrsakët dhe lezhjanët rritën depozitat deri në 8%

0

“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare sa i përket depozitave në sektorin bankar për të kutpuar se si ka ndikuar viti 2022, ai i krizës në kursimet e shqiptarëve. Shifrat sinjalizojnë se, totali i depozitave në sektorin bankar ka prekur nivelin e 1.52 trilionë lekëve, në rritje me 6.1% krahasuar me vitin pararendës. Bëhet fjalë për plot 88 miliardë lekë më shumë në banka. Ndërkohë depozitat në paranë e gjerë rriteshin me rreth 61 miliardë lekë ose 529 milionë euro (shih këtu).

Rritja e depozitave në total në sektorin bankar prej 6.1% për vitin 2022, ose me rreth 680 milionë euro është më e ulët se dy vitet pararendëse, duke qenë se në 2020-tën rritja fiksohej pranë 7.9% dhe në 2021-shin pranë 10.9%, por më e ulët se vitet 2017, 2018 dhe 2019, sinjalizojnë shifrat zyrtare.

Duke kaluar te analiza vetëm për individët shohim se, gjatë vitit të kaluar depozitat janë rritur me 5.1%, pra nën ritmet e rritjes së depozitave gjithsej, dhe nën ritmin e dy viteve pararendëse, por më mirë se vitet 2017-2019, duke pasur parasysh edhe faktin se ka qenë një vit krize e rëndë për konsumatorin.

Ndërkohë, nëse analizën e zhvendosim sipas rretheve, ashtu siç i referohet statistikisht Banka e Shqipërisë ndarjes gjeografike, shohim se, Durrësi mban vendin e parë sa i përket rritjes së depozitave për individët përgjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021, me plot 8%. Madje, kjo rritje për Durrësin është më e lartë edhe se vitet 2020 dhe 2021, ku termat e rritjes varionin mes 4.8% dhe 5.3%. Pas Durrësit si rrethi apo qarku me rritjen më të madhe të depozitave është Lezha, me plot 7.5% gjatë vitit të kaluar. Por, ndryshe nga Durrësi, Lezha ka ngadalësuar hapin e rritjes krahasuar me vitin 2021, kur rritja ishte mbi 12%. Korça renditet në vend të tretë ndër qarqet e identifikuara gjeografikisht, me 4.8% rritje, si dhe ndjeshëm mbi ritmin e dy viteve pararendëse. Ato që klasifikohen si rrethe të tjera ndërkohë, dhe që në nivel qarku janë: Dibra, Gjirokastra, Berati dhe Kukësi regjistrojnë plot 8.5% rritje të depozitave për individët gjatë vitit të kaluar. Në Tiranë depozitat janë rritur me 4.6% gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që në 2021-shin rritja fiksohej në 12%.

Në krahun e kundërt të tabelës kemi Vlorën, si rrethin/qarkun e vetëm me rënie të depozitave, me -0.3%. Gjatë vitit 2021 ndërkohë në Vlorë depozitat e individëve rriteshin me 8.8%. Edhe Elbasani regjistron terma mjaft të ulët rritje, me vetëm 0.4%, së bashku me Fierin, me 1.8%. Nga ajo çfarë sugjerojnë këto shifra, duket se, kriza e çmimeve nuk ka pasur impakt mjaft të madh në kursimet e individëve në pjesën dërrmuese të rretheve dhe qarqeve. Por, Vlora duket të jetë padiskutim qarku më i goditur dhe Durrësi me Lezhën qarqet më të fituara.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat biznese morën më shumë kredi në 2022-shin? Tregtia vijon në vend të parë, por me rënie, ndërtimi i dyti, me 20% të totalit

Postimi mëparshëm

Kredia në rritje për të gjitha rrethet/ Kryeson Tirana me 14%. Elbasani për kredinë për shtëpi, me 16.2%. Shkodra në tkurrje për atë konsumatore

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.