Publikimi i “Agjencisë Europiane të Statistikave” mbi statistikat e energjisë së rinovueshme tregon se, energjia që vjen nga burimet e rinovueshme paraqitet në rënie për vendin tonë sa i përket vitit 2021. Gjatë vitit 2020, ishte 45.02% e energjisë që vinte nga burimet e rinovueshme, ndërsa gjatë vitit 2021 ky tregues ka rënë në 41.38%. Sipas të dhënave mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2021 është 21.7%, e cila po ashtu paraqitet me rënie. Raporti tregon se kjo vjen kryesisht si pasojë e rritjes së konsumit të të gjitha karburanteve për shkak të rimëkëmbjes ekonomike pas hejqes së kufizimeve të pandemisë.
Në Shqipëri, 94.4% e energjisë elektrike e konsumuar gjatë vitit 2021 rrjedh nga burime të rinovueshme. Në vitin 2020 ky tregues ishte pranë 99%. Pra në vitin 2021, ky tregues shihet të ketë pësuar rënie të ndjeshme me gati 5.4 pikë përqindje. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për burimet e rinovueshme të energjisë të konsumuara në transport, në vendin tonë vetëm 0.33% e kësaj energjie është e rinovueshme dhe nëse do ta krahasonim këtë tregues me vitin 2020, të dhënat përsëri flasin për një rënie. Por sa përqind e energjisë së konsumuar për ngrohje dhe ftohje është e rinovueshme? Shifrat tregojnë se përgjatë vitit 2021 ky tregues në vendin tonë fiksohet në 21.2%, nga 25.13% që ishte gjatë vitit 2020.
Shqipëria renditet mes vendeve të para të Europës dhe rajonit për nivelin më të lartë të energjisë që vjen nga burimet e rinovueshme, ndërkohë që në nivel rajoni, Shqipëria renditet e para me nivelin më të lartë të energjisë nga burimet e rinovueshme. Ndërkohë, vendi më nivelin më të lartë në Europë është Islanda me 85.7% të energjisë e cila vjen nga burimet e rinovueshme, pasuar nga Norvegjia dhe Suedia. Në nivel rajoni, vendi i dytë pas Shqipërisë është Mali i Zi, me 39.8% të energjisë të prodhuar nga këto burime. Serbia është e treta e renditur në nivel rajoni dhe ndiqet nga Kosova e nga Maqedonia e Veriut, me 25.2%, 22.3% dhe 17.2% përkatësisht.
Shqipëria renditet e treta në Europë më përqindjen më të lartë të energjisë elektrike e cila rrjedh nga burimet e rinovueshme, ndërkohë që në vend të parë janë shtete si Norvegjia dhe Islanda, ndërsa mestarja e Bashkimit Europian është 37.5%. Nga ana tjetër, Shqipëria e humb pozicionin e saj sa i përket energjisë së rinovueshme e përdorur në transport apo për ngrohje dhe për ftohje. Për energjinë e rinovueshme të përdorur për transport Shqiperia renditet në vend të pestë nga fundi, ndërkohë që për ngrohje dhe ftohje është poshtë mesatres së Bashkimit Europian.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments