Financë

BSH bleu 283 kg ar në mars/ Ari monetar arrin në 3.1 ton, ose 208 milionë dollarë. Rezerva valutore, në $5.46 mld

0

Për herë të parë në thuajse 1 vit, Banka e Shqipërisë ka blerë ar monetar në kuadër të rezervës valutore. Kështu, volumi i arit në posedim të Bankës së Shqipërisë është rritur në 110 mijë onc gjatë marsit të këtij viti, nga 100 mijë onc që ishte në muajin shkurt. Prej prillit të vitit 2022 volumi i arit monetar qëndronte i pandryshuar, pranë 100 mijë oncëve, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga institutcioni, të analizuara nga “Scan Intel”.

Shifrat tregojnë se në harkun e një muaji, Banka e Shqipërisë ka blerë 10 mijë onc në shufra ari, ose rreth 283 kilogramë. E përkthyer në shufra ari, ky volum ari monetar është i barabartë me 23 lingota. Në total, rezerva prej 110 mijë onc përkthehet në plot 3.1 ton ar. Ndërkohë, nëse shifrat i shohim të konvertuara në vlerë, ato tregojnë se është prekur një rekord i ri historik gjatë marsit, me arin monetar në arkën e Bankës së Shqipërisë që ka prekur nivelin e 208 milionë dollarëve, nga 185 milionë dollarë që ishte kjo vlerë muajin pararendës. Në vlerën e arit monetar, veç volumit në peshë jep ndikim të ndjeshëm edhe luhatja e çmimit të metalit të çmuar në tregjet ndërkombëtare. Asnjëherë më parë nuk ishte kaluar niveli i 208 milionë dollarëve.

Në raport me rezervën valutore në total, ari përbën 3.81%, që është niveli më i lartë që prej majit të vitit 2020, kur kjo normë fiksohej pranë 3.96%. Në shkurt të këtij viti ndërkohë, kjo peshë ishte pranë 3.5%, sinjalizojnë shifrat zyrtare.

Ndërkohë, edhe rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë si e plotë është rritur ndjeshëm gjatë marsit, duke i`u afruar rekordit historik, dhe duke u ngjitur pranë 5.46 miliardë dollarëve, nga 5.26 miliardë dollarë që ishte në shkurt, duke u rritur afërsisht me 200 milionë dollarë. Ky është niveli më i lartë i rezervës që prej shkurtit të vitit 2022, kur fiksohej në 5.6 miliardë dollarë. Në terma rritje, gjatë marsit shifra fiksohet në 3.8%, që është niveli më i lartë që prej nëntorit të vitit të kaluar, me 4%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Vlora, me rritjen më të madhe të kreditimit/ Huaja për individë rritet në çdo qytet, me përjashtim të Elbasanit

Postimi mëparshëm

Sa para dërgojnë shqiptarët jashtë? Mbi $50 milionë në vit. Italia dhe Greqia `presin` 87% të totalit, SHBA e 3-ta

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.