Financë

Borxhi i jashtëm arrin në 9.89 mld euro/ Rritet me 88 milionë euro në T2, shkon në €3540 për frymë

0

Borxhi i Jashtëm Bruto i vendit është ngjitur pranë një maksimumi të ri historik gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, tregojnë shifrat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Kështu, numrat flasin për një shifër prej 9.89 miliardë eurosh borxh të jashtëm të Shqipërisë deri në tremujorin e dytë të vitit. Në tremujorin e parë ndërkohë, shifra fiksohej pranë rreth 9.8 miliardë eurosh. Në total, borxhi i jashtëm i vendit tonë është rritur me rreth 88 milionë euro në harkun e tre muajve.

Gjatë periudhës kohore në fjalë, rritja në terma nominal fiksohet pranë 0.9%, ndërkohë që në tremujorin e parë rritej me një hap më të ngadalatë, pranë 0.5%. Ndër të tjera, shifrat, të analizuara nga “Scan Intel”, tregojnë se periudha prill-qershor e këtij viti shënjon tremujorin e 4-tët me radhë në rritje për këtë tregues, që është edhe më i rëndësishmi sa i përket financave publike dhe stabilitetit financiar. Për herë të fundit, seria më e gjatë e rritjes së borxhit publik në terma tremujorësh regjistrohej mes viteve 2015-2017, për 7 tremujorë me radhë.

Por ndërkohë, shifrat tregojnë gjithashtu se, ritmi i rritjes së borxhit të jashtëm bruto të vendit gjatë tremujorit të dytë të vitit është ndjeshëm nën mesataren historike. Mesatarisht, që prej tremujorit të parë të vitit 2008, borxhi i jashtëm është rritur çdo tremujor me 2.6%, kështu që shifra prej 0.9% gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti është më shumë se dy herë më e ulët. Kjo tendencë vjen pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ka qenë vendi, me rritjen e ndjeshme të çmimeve. Por, mesa duket performanca e mirë e financave me rritjen e ndjeshme të të ardhurave në buxhet, ku parashikohen rreth 40 miliardë lekë më shumë të ardhura se planifikimi, ose rreth 340 milionë euro, ka ulur nevojat për financim nga jashtë të vendit.

Në rast se analizën do ta bënim për frymë, shifrat tregojnë se borxhi i jashtëm bruto i vendit për tremujorin e dytë të vitit është rritur me rreth 32 euro, për të prekur shifrën e 3540 euro për frymë. Kaq është borxhi i jashtëm që çdo shqiptar ka.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kur kursejnë më shumë shqiptarët? Në dhjetor dhe gusht, kur vijnë emigrantët. Shkurti dhe marsi, muajt pa “bereqet”

Postimi mëparshëm

Numri i nxënësve në rënie çdo vit/ Rreth 4% më pak fëmijë në klasë të parë dhe 9% më pak gjimnazistë në klasë të dhjetë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.