Financë

As BSH nuk e ndal dot kolapsin e euros/ Rezerva ndërkombëtare, rekord në Qershor. U blenë 600 milionë euro në një muaj

0

Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 600 milionë euro gjatë muajit Qershor, në përpjekje për të stabilizuar kursin e këmbimit mes monedhës së përbashkët europiane dhe Lekut vendas. Shifrat zyrtare nga institucioni qendror i politikave monetare tregojnë se gjatë muajit Qershor, rezerva ndërkombëtare e Shqipërisë është ngjitur pranë një rekordi të ri historik, rreth 5.55 miliardë euro, nga diçka më pak se 5 miliardë euro që ishte kjo shifër gjatë muajit maj të këtij viti. Kjo shifër është jo vetëm më e larta në histori, por edhe ndjeshëm mbi rekordin e mëparshëm, që regjistrohej në gusht të vitit të kaluar, prej rreth 5.08 miliardë eurosh.

Gjatë Qershorit rezerva ndërkombëtare është rritur me 12.1% krahasuar me muajin Maj. Që prej kohës kur të dhënat janë publike, viti 2013, kjo rritje është e tretë më e lartë e regjistruar ndonjëherë, pas Qershorit të vitit 2020, në rritje me plot 20% dhe Nëntorit të vitit 2021, në rritje me rreth 18%.

Rritja prej 12%, ose rreth 600 milionë euro e rezervës ndërkomnbëtare gjatë muajit Qershor ka ardhur thuajse ekskluzivisht në formën e monedhave dhe depozitave, ndërkohë që mjetet e tjera të rezervës, si psh ari monetar nuk kanë pësuar ndryshime krahasuar me muajin Maj. Kujtojmë se gjatë Qershorit, monedha e përbashkët pati një revansh i cili zgjati rreth një javë, pasi u ngjit nga një minum prej rreth 105 lekësh, pranë 108 lekëve, diku nga mesi i muajit. Por ky revansh zgjati pak.

Pra, Banka e Shqipërisë ka ngrirë në formën e rezervës rreth 600 milionë euro gjatë qershorit, duke hedhur në treg dhjetra miliarda lekë. Dhe duke pasur parasysh ecurinë e monedhës së përbashkët europiane gjatë Korrikut, kur u prek edhe barriera e “1 me 100”, mund të themi se as ndërhyrje të përmasave të tilla nga ana e Bankës së Shqipërisë nuk kanë mundur ta frenojnë kolapsin e monedhës së përbashkët në tregun e brendshëm valutor, ose mund të kenë frenuar një rënie edhe më të theksuar. Diçka e tillë ngre edhe më shumë pikëpytje mbi mundësitë e kufizuara për ndërhyrje në tregun e këmbimit valutor, sidomos për shkak të përmasave mjaft të mëdha të ekonomisë informale dhe euroizimit. Ekonomia informale në vendin tonë vlerësohet mbi 30% ndërkohë që niveli i euroizimit vlerësohet deri në 50%, ndërkohë që euro është valutë dominuese në transaksionet me vlerë nomimale të lartë, si shitblerje pronash, automjetesh, etj. Pra, të dy këta elementë ulin ndjeshëm efikasitetin e politikave monetare të Bankës së Shqipërisë, duke drejtuar gishtin te reformat e mirëfillta strukturore, si psh lufta ndaj informalitetit dhe euroizimit nga ana e qeverisjes qendrore. Por, këto reforma kërkojnë kohë dhe vullnet politik, çka sinjalizon se frenimi emergjent i kolapsit të euros është në kufijtë e të pamundurës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Transporti ruan momentin pozitiv/ Rreth 11% më shumë mallra në tremujorin e dytë të vitit, pasagjerët me 31% rritje

Postimi mëparshëm

Shqipëria, 7.5% më e motorizuar se në 2021-shin/ “Benzi” vijon kryesimin si më i pëlqyeri, “Audi” dhe “Toyota” me rritjen më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.