FinancëStudime

Analiza e tregut të automjeteve në Shqipëri/ Koncesionarët, 21 mln euro më pak xhiro me pandeminë, bilanci i 15 kompanive

0

Viti pandemik bëri që çdo njësi ekonomike, qoftë biznes i madh apo i vogël të ndjente një tkurrje në nivelin e të ardhurave, e cila rrjedhimisht sjell edhe ulje në fitim në fund të periudhës ushtrimore. Kështu “Scan Intelligence Unit” zhvilloi një kërkim i cili bazohet në bilancet e depozituara nga përfaqësuesit zyrtar të autorizuar për shitje dhe servis për markat përkatëse në Qëndrën Kombëtare të Biznesit. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar 15 kompani të autorizuara, duke marrë bilancet e vitit 2019 dhe 2020 për të krahasuar të ardhurat dhe fitimet, si dhe për të krijuar një “panoramë” se si këta përfaqësues zyrtar të disa prej markave më të njohura në botë të industrisë automotive kanë performuar në periudhën e marrë për studim.

Për vitin 2020, bilancet tregojnë se kompania me të ardhurat më të larta është “AutoStar Albania”, përfaqësues zyrtar dhe i autorizuar për shitjen dhe servisin e makinave të liderit gjerman "Mercedes-Benz". Nga bilancet e depozituara në QKB, kjo kompani ka arkëtuar rreth 2.3 mld lekë ( 19 mln euro), përkundrejt 2.6 mld lekë (21 mln euro)  që regjistrohej në 2019-ën, rreth 322 mln lekë me pak, ose shprehur në përqindje do të fiksohej në shifrat e 12.18% rënie të xhiros vjetore.

“Porsche Albania”, pjesë e "Porsche Holding" me seli në Salzburg të Austrisë, një nga grupet më të mëdha në industrinë e automjeteve në Europë, për vitin 2020 regjistron të ardhura që prekin vlerën e 2.14 mld lekëve (17.5 mln euro). "Porsche Albania" është distributori zyrtar për shitjen dhe servisin e markave "SKODA", "AUDI", "SEAT" dhe "Volkswagen". Në krahasim me 2019-ën, të ardhurat për këtë kompani regjistrohen në rritje prej 29.7 mln lekë, që fiksohet në shifrat e 1.39%.

“Mektrin Motors”, kompania që ka të drejtat ekzkluzive për shitjen e automjeteve të markave "Jaguar", "LandRover", "Volvo" regjistron një nivel të ardhurash prej 1.87 mld lekë, tregojnë bilancet e depozituara në QKB nga kjo kompani për vitin 2020. Në 2019-ën të ardhurat për këtë kompani preknin vlerat e 2.29 mld lekë, duke shënuar ulje me rreth 421 mln. Kjo do të thotë se kjo kompani ka arkëtuar 18.36% më pak të ardhura se në 2019.

“Albania Motor Company”, është distributori zyrtar në Shqipëri për automjetet e markës "Ford". Arkëtimet për këtë kompani për vitin 2020 arrijnë në 1.63 mld lekë, duke shënuar rritje në krahasim me vitin 2019 me rreth 191 mln lekë ose 11.71% më shumë mjete monetare në arka duke e cilësuar këtë kompani, bashkë me "Porsche Albania" si të vetmet kompani që kanë arritur t`i mbajnë bilancet në rritje krahasuar me vitin e kaluar.

"Top 5" plotësohet me kompaninë "CLASSIC SHPK", që është përfaqësuesi zyrtar i markës “MITSUBISHI”. Të ardhurat nga shitja dhe servisi i makinave "MITSUBISHI" për vitin ushtrimor 2020 regjistrohen në 346 mln lekë. Krahasimi me 2019 tregon se të ardhurat janë ulur me 648 mln lekë, në rënie me 65.17%. Deri më tani, kjo është kompania që eshtë “infektuar” më shumë nga efektet e pandemisë.

"NOSHI-Opel" zotëron të drejtat ligjore për shitjen e automjeteve të markës "OPEL" dhe "CHEVROLET". Të ardhurat për këtë distributor për vitin 2020 prekin shifrat e 295 mln lekë, kundrejt 414 mln lekë që regjistroheshin një vit më parë. Kështu, të ardhurat u tkurrën me 118 mln lekë, ose rreth 65.17%.

Lideri tjetër gjerman, "BMW", distributori i së cilës në Shqipëri është kompania "TAG Albania" regjistron rritje në nivelin e të ardhurave me rreth 170 mln lekë, ose me rreth 97.57%. Kjo është edhe rritja më e madhe për sa i përket tregut të automjeteve.

Pjesë e 14 kompanive të marra në analizë rezulton edhe "AUTOVISION", përfaqësuesi zyrtar i IVECO në Shqipëri, prodhuesi i automjeteve të tonazhit të rëndë. Edhe për IVECO, të ardhurat rezultojnë me ulje për vitin 2020, me rreth 10.62% në krahasim me periudhën paraardhëse, viti 2019.

Lista vijon edhe me kompani të tjera, ndërkohë që për "HYUNDAI AUTO ALBANIA, pasqyrat financiare për vitin 2020 mungojnë.

Në total, të ardhurat e 14 kompanive të marra në analizë për vitin 2020 arrijnë në shifrat e 10.1 mld lekë. Në krahasim me 2019-ën, në totalin e të ardhurave janë arkëtuar rreth 2.6 mld lekë më pak (21 mln euro). Ulja në totalin e të ardhurave për periudhën e marrë në studim prek vlerat e 20.33%.

Fitimet, cilat kompani janë në krye të listës?

Për sa i përket fitimeve për kompanitë që zotërojnë të drejtat ligjore për shitje në tregun e automjeteve në Shqipëri, "Mektrin Motors", i autorizuar për shitjen e automjeteve të markës "Jaguar", "LandRover", "Volvo" dhe "KIA" rezulton si kompania me fitimet më të larta si për vitin 2020 dhe për vitin 2019. Fitimet neto për këtë kompani në 2020-ën regjistrohen në 92.4 mln lekë (750 mijë euro), ku në 2019-ën fitimet preknin vlerën 128 mln lekë, ulje që fiksohet në vlerat e 28%.

Automjetet e tipit "Audi", "Seat", "Skoda" dhe "VW" , pjesë e "Porsche Albania" renditen të dytët për nga niveli i fitimit. Në 2020-ën kjo markë ka shënuar nivel fitimi prej 80 mln lekë, kundrejt 86 mln lekë të 2019-ës, tregojnë bilancet e depozituara në QKB nga kompania përkatëse. Krahasimi i dy viteve tregon ulje në nivelin e fitimit, që arrin në vlerat e 8.0%.

"ALBANIA MOTOR COMPANY", kompania që është e autorizuar për shitjen e makinave të markës amerikane Ford, renditet në top 3-shen për nga niveli i fitimit për vitin 2020. Fitimet për markën amerikane arrijnë në 62 mln lekë. Edhe për këtë markë automjetesh, fitimet në krahasim me 2019 rezultojnë me rënie, me rreth 17.84%.

"AutoStar Albania" (Mercedes Benz) regjistron rreth 10 milionë Lekë humbje gjatë vitit 2020. Rreth 12 mln lekë janë humbjet për TAG Albania (BMW). Ndryshe nga "AutoStar Albania", ku për vitin 2020 uli fitimet me 110%, "TAG Albania" i rriti fitimet me 15.02% pavarsisht se niveli i fitimit mbetet ende në vlera negative.

Rritja më e madhe në nivelin e fitimit është regjistruar nga "CLASSIC Sh.P.K" (Mitsubishi). Krahasimi me 2019-ën tregon se automjetet e tipit "MITSUBISHI" rritën fitimet me rreth 48%. E ndërsa "MITSUBISHI" regjistron normën më të lartë të fitimit, kompania "Tendenc 3A", e autorizuar për shitjen e automjeteve të tipit "Renault", "Nissan" dhe "Dacia", regjistron normën më të ulët të fitimit, me një humnbje vjetore prej 40 milionë lekësh. Për vitin 2020 norma e fitimit për këtë kompani ra me 281% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, çka e vendos sërish në vend të fundit sa i përket ndryshimit vjetor.

Fitimet neto për vitin 2020 nga shitja dhe servisi i automjeteve, në total fiksohen në 231 mln lekë, nga 527 mln lekë që ishin vitin paraardhës. Të dhënat e totalit të fitimeve sinjalizojnë se fitimet ranë me 56.20% për vitin ushtrimor 2020, ose me rreth 2.4 milionë euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Buxheti 2022 sipas qarqeve/ Tirana me rritjen më të madhe. Qeveria më e kursyer me Gjirokastrën

Postimi mëparshëm

Dekurajohen aplikimet për llotarinë amerikane, – 240 mijë shqiptarë provuan fatin, rënie me 30.2% krahasuar me 2020-ën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.