Turizëm

Turizmi i kampingjeve, çmimet më të lira në Europë/ Ndikuan në rritjen e numrit të netë qëndrimeve në vend

0

Sipas të dhënave të strukturave akomoduese, të publikuara nga INSTAT, në muajin maj të këtij viti rezultoi se rritja më e madhe e vizitorëve gjithsej vihet re në hapësirat për kampingje, për parqe, për çadra ose rulota argëtimi, edhe pse hotelet kanë numrin më lartë të vizitorëve.

Referuar të dhënave, duket se kampingu në vendin tonë po bëhet gjithmonë e më shumë preferenca e re e akomodimit. Por si paraqitet ky lloj akomodimi ne vendet e Europës? “Scan Intel” ka kryer një analizë të të dhënave nga “Agjencia Europiane e Statistikave” për të parë se si ka ndryshuar numri i akomodimit në kampingje në vendet e Bashkimit Europian, por jo vetëm.

Nëse analizojmë numrin e netë qëndrimeve të vizitorëve gjithsej në kampingje apo rulota rezulton se Shqipëria është vendi i tretë në Europë me rritjen më të lartë për muajin maj, me 66.5%. Bullgaria dhe Polonia udhëheqin rritjen, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian rezulton me rënie në 27%. Në këtë rënie duket se ka ndikuar Lituania, Rumania, Islanda dhe Franca. Nëse analizojmë renditjen e vendeve të rajonit shohim se Maqedonia e Veriut renditet pas Shqipërisë dhe më pas ndjek Mali i Zi dhe Serbia me një diferencë në pozicionim.

Le të analizojmë netët e kaluara në kampingje nga vizitorët e huaj. Shqipëria renditet në vend të pestë me një rritje prej 58%, ndërkohë kryeson Bullgaria më një rritje deri ne 180%. Në nivel rajoni shohim se Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje më të madhe se vendi ynë.

Nga ana tjetër, Shqipëria rritjen më të lartë të numrit të netë qëndrimeve e ka sa i përket vizitorëve vendas. Në muajin maj ky tregues është rritur me 224%, duke e renditur vendin tonë si të dytin në Europë me rritjen më të madhe. Në rajon rezulton se kampingjet janë më pak të preferuara nga vendasit, pasi në Serbi dhe Malin e Zi numri i netëve të kalauara në kampingje është me rënie, krahasuar me majin e vitit 2023.

Por pse kjo rritje e netë qëndrimeve në kampingje në vendin tonë? Sipas një artikulli të publikuar në muaji maj nga portali i kampingut, “camping.info”, i cili është një nga burimet kryesore europiane të informacionit për pushimet në kamping, rezulton se Shqipëria është më e lira në Europë. Çmimi mesatar i kampingut në vendin tonë për një natë qëndrimi arrin deri në 13.5 euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

A po e teprojmë me importin e çadrave të diellit? Regjistrohet sërish rekord në qershor, vlera arriti në 71.5 milionë lekë

Postimi mëparshëm

Si ndryshuan bizneset e hotelerisë ndër vite? Numri i vizitorëve të huaj rriti paralelisht edhe ndërmarrjet

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.