Ekonomi

Sa para qarkulluan në Shqipëri gjatë vitit 2023? Rritje eksponenciale e emetimit të kartëmonedhave dhe impakti në ekonomi

0

Emetimi i kartëmonedhave sjell përfitime të mëdha për individët dhe organizatat financiare, duke përmirësuar sigurinë, lehtësimin e transaksioneve dhe lehtësimin e menaxhimit të financave personale. Nxjerrja dhe qarkullimi i monedhës kombëtare “lek” është detyrë ekskluzive e Bankës së Shqipërisë.

‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat për të kuptuar ofertën monetare, pra sa para hodhi në qarkullim Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2023. Të dhënat e këtij institucioni tregojnë se vlera e monedhave kombëtare në qarkullim, në fund të vitit 2023, arriti në 408 miliardë lekë ose 6.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Nëse analizën do ta zhvillojmë në terma sasiorë shohim se në fund të vitit 2023, rezultuan rreth 156 milionë copë kartëmonedha në qarkullim, vlera e të cilave arriti në 401 miliardë lekë.

Krahasuar me fundin e vitit 2022 konstatojmë një ulje me 3% të numrit të kartëmonedhave në qarkullim. Pra, gjatë një viti numri i kartëmonedhave është ulur me 4.9 milionë, ndërsa në vlerë kemi një rritje prej 6.4 miliardë lekësh. Ulja e numrit të kartëmonedhave dhe rritja e vlerës së tyre në qarkullim ka ardhur për shkak të përmirësimit të strukturës në qarkullim, që lidhet me rritjen e numrit të kartëmonedhave të prerjeve të mëdha, kryesisht 10.000 dhe 5,000 lekë. Por sa cilësore janë paratë që emetohen? Banka e Shqipërisë përmes shifrave tregon se një kartëmonedhë kthehet mesatarisht më pak se një herë në vit në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Ky koeficient është më i lartë për prerjet 500 Lekë, 1000 lekë dhe më i vogël për prerjet 5,000 dhe 10,000 lekë.

Nga ana tjetër, krahas monedhave jocilësore në qarkullim gjenden edhe kartëmonedha të falsifikuara. Në vitin 2023 janë sekuestruar 195 copë kartëmonedha kombëtare të falsifikuara në qarkullim, kundrejt 343 copëve në vitin 2022. Sa i përket shpërndarjes strukturore të kartëmonedhave të falsifikuara, peshën kryesore e mbajnë prerjet 1,000 lekë dhe 5,000 lekë, të ndjekura nga prerja 2,000 lekë dhe 500 lekë. Në fund të analizës,  konkludojmë se rritja e sasisë së kartëmonedhave të emetuara ka qenë e shpejtë dhe nëse kjo rritje vazhdon të jetë konstante dhe e pandërprerë mund të shkaktojë inflacion.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Zyrat e këmbimit valutor, rekord në 2023-shin/ U licencuan 52 të reja duke arritur në total 621 “exchange”

Postimi mëparshëm

Kush i zotëron bankat në Shqipëri? Rreth 55% e tyre “nën kontrollin” e kapitalit nga vendet e BE-së dhe Turqia

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.