Ekonomi

Remitancat thyejnë rekord historik/ Emigrantët sollën në Atdhe gati 930 milionë euro në 2023-shin

0

Dërgesat e emigrantëve kanë shënuar rekord të ri absolut gjatë vitit të kaluar, prej gati 930 milionë eurosh, tregojnë shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Shifra është edhe më e lartë se viti 2022 dhe viti 2008, kur regjistrohej rekordi i mëparshëm. Rritja e ndjeshme e remitancave në vendin tonë ka nisur që me pandeminë, por është theksuar edhe më shumë me krizën e çmimeve të vitit 2022. Në total, emigrantët kanë dërguar të paktën 94 milionë euro më shumë se viti pararendës. Bëhet fjalë për rreth 11.3% më shumë dërgesa nga emigrantët gjatë vitit 2023.

Nëse krahasimin e bëjmë me periudhën para krizës së çmimeve, shohim se emigrantët kanë sjellur në vend të paktën 167 milionë euro më shumë vitin që lamë pas.

Gjithashtu, shifrat tregojnë se tremujori i fundit i vitit të kaluar ka thyer po ashtu një rekord historik, me rreth 252 milionë euro dërgesa. Kjo shifër është edhe më e lartë se tremujori i dytë i vitit 2009 apo tremujori i fundit i vitit 2022, kur emigrantët dërgonin në Atdhe afërsisht 240 milionë euro. Në tremujorin e 4-tët të vitit të kaluar, remitancat rezultojnë 4.3% më të larta se tremujori i njëjtë i vitit pararendës.

Nga këto shifra duket qartë se emigrantët kanë ndikuar mjaftueshëm për të zbutur krizën e çmimeve për familjet shqiptare, madje duke dërguar edhe më shumë para se gjatë pandemisë, kur shumë ekonomi familjare u prekën rëndë nga shpenzimet për shëndetësinë si pasojë e covid-19. Ndër të tjera theksojmë se kjo shumë dërgesash rekord nga emigrantët gjatë vitit të kaluar ka ardhur pavarësisht faktit se kriza e çmimeve ka prekur thuajse çdo cep të globit, dhe sidomos vendet ku ka një përqëndrim të lartë të emigrantëve shqiptarë, si vendet e Bashkimit Europian, Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, shumë më shumë do të fitonin familjet shqiptare nga dërgesat e emigrantëve nëse monedha europiane do të paraqitet në nivele më të larta përgjatë vitit 2023. Edhe pse euro nuk është monedha bazë e vendit, nënçmimi i saj kundrejt lekut padyshim që ka impaktuar ekonominë shqiptare, po ashtu edhe familjet të cilat e sigurojnë jetesën nga dërgesat e emigrantëve apo ato të cilat I kanë kursimet në euro.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gjeografia e azilantëve nga Shqipëria/ Franca dhe Gjermania, destinacioni i preferuar. Në vitin 2023 u regjistruan mbi 6,800 aplikime

Postimi mëparshëm

Kreditimi prek rekord në shkurt/ Huaja e re shënon rritje si për biznesin, ashtu edhe për individët

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.