Ekonomi

Nuk ‘përmbahen’ pagat në sektorin e shërbimeve/ Agjencitë e udhëtimit dhe hotelet konfirmojnë performancën e sezonit turistik

0

Ecuria pozitive e turizmit këtë vit nuk vihet re vetëm në numrin e turistëve apo strukturave akomoduese, por janë një sërë indikatorësh të tjerë që kanë konfirmuar rezultatet e performancës së mirë. Sipas të dhënave nga “Instituti i Statistikave”, në publikimin mbi statistikat afatshkurtra, shërbimet gjatë tremujorit të tretë të këtij viti paraqiten me rritje gati në të gjitha indekset, por rritja më e madhe vihet re sidomos në paga. Sipas shifrave rritjen më të madhe e regjistrojnë agjencitë e udhëtimit dhe hotelet, si në shitje ashtu edhe në numër të punësuarish dhe paga.

Kështu agjencitë e udhëtimit paraqesin një rritje të shitjeve neto me 24%, krahasuar me një vit më parë. Rritje paraqesin edhe indeksi i numrit të të punësuarve me 8.8% dhe fondi i pagave me 31%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të INSTAT, agjencitë e udhëtimit kanë shënuar rritjen më të lartë në shitje dhe paga, karahasuar me aktivitetet e tjera ekonomike.

Hotelet po ashtu regjistrojnë rritje gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Indeksi i shitjeve në volum për aktivitetin “Hotele” është rritur me 12.9%, ndërsa nga ana tjetër, indeksi i numrit të të punësuarve është rritur me 10.5% dhe fondi i pagave me 29.5%. Nga të dhënat vihet re se indeksi i fondit të pagave dhe ai i numrit të të punësuarve gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023 është rritur për të gjitha aktivitetet, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

“Bar-Restorantet” po ashtu paraqiten me rritje në të gjithë indekset, ku rritjen më të lartë e ka shënuar në indeksin e pagave dhe numrin e të punësuarve me 22.3% dhe 2.4%. Sa i përket informacionit dhe komunikacionit, numri i të punësuarve është rritur me 7.1%, ndërkohë që indeksi i fondit të pagave është rritur me 18.7%. Ajo që vihet re në këtë grup është rënie e shitjeve në volum me 0.4%. Sipas të dhënave, me rënie paraqitet edhe indeksi i shitjeve neto në volum për tregtinë dhe transportin.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rriten shitjet me pakicë me 5.6%/ Ndikimi i turizmit, karburantet dhanë kontributin më të madh

Postimi mëparshëm

Ekzaminimet mjekësore, Shqipëria në fund të Europës/ Eurostat: 13.7% e shqiptarëve raportojnë nevoja të paplotësuara

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.