Tregti

Rriten shitjet me pakicë me 5.6%/ Ndikimi i turizmit, karburantet dhanë kontributin më të madh

0

Sipas të dhënave të INSTAT tregtia më pakicë paraqitet me rritje në tremujorin e tretë të këtij viti për shkak të rritjes së konsumit si pasojë e sezonin veror dhe shifrave pozitive të turizmit. Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i llogaritur bazuar në deflatimin e indeksit e shitjeve në vlerë, arriti 145.1 duke shënuar një rritje me 5.6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2022. Në terma tremujorësh rritja e volumit të shitjeve më pakicë regjistrohet në 1.5%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit.

Por, nga ana tjetër, ndryshimi mujor i indeksit të shitjeve në tregtinë me pakicë paraqitet negativ. Volumi i shitjeve nga muaji gusht 2023 në muajin shtator të po këtij viti ka shënuar rënie me -2.4%.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e tretë 2023 është rritur me 4.6%, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2022. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4.6%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022. Volumi i shitjeve, për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 4.5%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 6.5%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.

Në ndryshimin vjetor prej 5.6%, në tremujorin e tretë 2023 ndaj tremujorit të tretë 2022, grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” ka kontribuar me 2.2 pikë përqindje. “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 1.8 pikë përqindje dhe grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” me 1.6 pikë përqindje.

Sa i përket ndryshimit tremujor volumi i shitjeve, në tremujorin tretë 2023, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 1.9%, krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur me 1.9% krahasuar me tremujorin paraardhës. Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 0.6%, kundrejt tremujorit të mëparshëm. Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, është rritur me 1.2%, kundrejt tremujorit të dytë 2023.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Përse ‘e duan’ të huajt Shqipërinë? Gati gjysma për punësim, vetëm 4% për shkollim. Rriten me 21.6% lejet e qëndrimit

Postimi mëparshëm

Nuk ‘përmbahen’ pagat në sektorin e shërbimeve/ Agjencitë e udhëtimit dhe hotelet konfirmojnë performancën e sezonit turistik

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.