ÇmimetEkonomi

Produktet e shportës janë shtrenjtuar me 18% – Renditja e tyre sipas çmimit që kishin vjet, dhe çmimit që kanë sot

0

“Scan Intel” ka siguruar nga Instituti i Statistikave disa të dhëna shtesë në lidhje me rritjen e çmimeve, ku rezultojnë çmimet e detajuara për 45 produkte bazë konsumi. Nga këto 45 produkte në total, shohim se 43 prej tyre regjistrojnë një rritje të çmimeve krahasuar me një vit më parë, njëri nuk ka ndyshim, dhe vetëm një tjetër është në rënie, që i është çmimi i portokalleve. Të dhënat i referohen çmimeve në treg të këtyre produkteve në tetor të këtij viti, krahasuar me tetorin e një viti më parë.

Në total, çmimet e këtyre produkteve në treg, për konsumatorin final janë shtrenjtuar me plot 17.83% mesatarisht, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Në rast se i shohim më në detaj, kuptojmë edhe se cilat janë 10 produktet me shtrenjtimin më të madh në harkun e 12 muajve. Në vend të parë qëndron vaji i lulediellit, me 59.77% rritje të çmimit. Në tetor të vitit 2021, çmimi i vajit të lulediellit në treg fiksohej pranë 216.5 lekëve mesatarisht, ndërkohë që në tetor të këtij viti është ngjitur pranë 345.9 lekëve. Gjalpi renditet i dyti, me 50.25% rritje, nga 638.6 lekë kilogrami një vit më parë, në 959.5 lekë kilogrami këtë vit. Çmimi i vezëve renditet në vend të tretë për nga shtrenjtimi, me 45.14% rritje, duke u ngjitur në 25.4 lekë për kokërr, nga 17.5 lekë që ishte në tetorin e vitit paraardhës. Ndjek më pas Kosi natyral, 40.27% më i shtrenjtë, nga 118 lekë për kilogram, në 165.8 lekë për kilogram mesatarisht këtë vit. Nafta është produkti i 5-të me shtrenjtimin më të lartë, nga 174.5 lekë për litër një vit më parë, në 237 lekë për litër mesatarisht në tetor, me plot 35.82% rritje. Sheqeri vijon renditjen, duke rezultuar 34.24% më i “kripur” se një vit më parë, ndjekur nga mishi i qingjit, dashit dhe kecit, me 33.35% rritje, duke u ngjitur në një mesatare prej 1057 lekësh për kilogram, nga 792.8 lekë që ishte në tetorin e vitit të kaluar. Djathi kaçkavall rezulton me 30.58% rritje, dhe është ngjitur në rreth 980 lekë për kilogram, dhe ndiqet nga djathi i bardhë, me 28.79% shtrenjtim, pranë 718 lekëve, nga 557 lekë që ishte vjet gjatë së njëjtës periudhë kohore. Makaronat mbyllin “Top 10” e produkteve me rritjen më të lartë të çmimeve në harkun e një viti, plot 27.69% më të shtrenjta, nga 181 lekë për kilogram vjet, në 231.5 lekë për kilogram në tetorin e këtij viti. Edhe produkte si gjiza, qumështi, vera apo peshku i freskët rezultojnë me një rritje të çmimeve mbi 20%, sipas të dhënave të siguruara nga Instituti i Statistikave.

Nga krahu tjetër i tabelës ndërkohë, si produktet me rritjen më të ulët të çmimeve shohim lëngjet e frutave, me “vetëm” 7.04% shtrenjtim, ujin mineral me 6.22%, cigaret me 6.13%, sallamin me 5.26%, patatet me 4.27%, ullinjtë me 3.04%, mollët me 1.39%, gazin me 0%, dhe në fund fare portokallen, 6.73% më të lirë se një vit më parë.

Pra, siç e tregojnë qartë edhe shifrat, rritja e cmimeve të shportës fiksohet pranë rreth 18%, ndërkohë që ndër këto 45 produkte, të cilësuara si kryesore për konsumin nga Instat, 33 prej tyre, regjistrojnë një rritje mbi normën e inflacionit, 12 nën normën e inflacionit, dhe vetëm 1 produkt me rënie të çmimit.

Çmimet Tetor 2021

Çmimet Tetor 2022

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në jug të Shqipërisë, jeta është më e shkurtër/ EUROSTAT: 7 vite më e shkurtër se në BE, ndërsa në qendër dhe veri jetohet më gjatë. Femrat kanë në “dispozicion” 4 vite më shumë

Postimi mëparshëm

Eurostat “zbret” inflacionin/ Indeksi i Harmonziuar i Çmimeve të Konsumit, 8% rritje vjetore në Shqipëri

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.