Turizëm

Më shumë turistë në strukturat akomoduese/ Përgjatë tre muajve të huajt qëndruan rreth 348 mijë netë në Shqipëri

0

Edhe në muajin mars të këtij viti Shqipëria ka pritur një numër të lartë turistësh, duke shënuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj në strukturat akomoduese. Sipas shifrave zyrtare mbi këtë tregues,  rezulton se gjatë muajit mars të këtij viti vendin tonë e vizituan gjithsej 115,287 vizitorë, shifër kjo që konfirmon edhe njëherë performancën pozitive të turizmit.

Ndërkohë, krahasuar me marsin e një viti më parë, shohim se këtë vit u regjistruan 45.6% më shumë turistë, ku rritja më e lartë konstatohet tek vizitorët e huaj. Nga ana tjetër, edhe numri i netë qëndrimeve ka ndjekur një trend rritës, konkretisht numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 46 %, në krahasim me muajin mars 2023.

“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe numrin e vizitorëve dhe netë qëndrimeve sipas tipologjisë së tyre. Sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” në strukturat akomoduese u regjistruan 68.7 % më shumë vizitorë krahasuar me vitin paraardhës. Nëse i specifikojmë sipas tipologjisë rezulton se në muajin e tretë të këtij viti u regjistruan 47,085 vizitorë vendas dhe 68,202 vizitorë të huaj. Po ashtu edhe netë qëndrimet nga vizitorët e huaj gjatë muajit mars të këtij viti u rritën me 64.3 %, krahasuar me një vit më parë. Në të kundërt, netë qëndrimet nga vendasit paraqiten në një numër më të ulët. Ndërsa në një analizë më të zgjeruar ku marrim në konsideratë të dhënat e strukturave akomoduese për tremujorin e parë të vitit konstatojmë se janë regjistruar gjithsej 172,633 turistë të huaj të cilët qëndruan gjithsej rreth 348 mijë netë në strukturat hoteliere.

Përsa i përket origjinës së turistëve që na vizituan gjatë muajit mars, shifrat tregojnë se peshën më të madhe e zënë vizitorët nga Kosova me 13.3% dhe vizitorët nga Italia me 11.5%. Pjesa tjetër shpërndahet mes vizitorëve nga Gjermania, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët kanë qenë më të paktë në numër. Theksojmë se duke filluar nga muaji janar 2024, të dhënat e Anketës së Strukturave Akomoduese janë mbledhur nëpërmjet vrojtimit tërësor pranë këtyre strukturave përkundrejt vrojtimit me kampionim që përdorej në vitet paraardhëse. Këto të dhëna janë grumbulluar, prodhuar dhe publikuar për të gjitha strukturat akomoduese pjesë e Regjistrit Statitistikor të Ndërmarrjeve të vitit 2023.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat vende “braktisën” produktet ‘Made in Albania’? Italia dhe Mali i Zi, shtetet me rënien më të madhe të eksporteve në Prill

Postimi mëparshëm

Trendi i diplomimeve në Shqipëri/ Djemtë drejtohen drejt inxhinierisë, vajzat “shkëlqejnë” në arsim dhe gazetari

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.