Të dhënat mbi treguesit demografikë nga “Instituti i Statistikave”, kryqëzuar më të dhënat historike të popullsisë ndër vite, sinjalizojnë se viti 2022 regjistron rekordin më të ulët historik të 32 viteve të fundit sa i përket numrit të lindjeve. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri janë regjistruar rreth 24,688 lindje, nga rreth 27 mijë që regjistroheshin në vitin 2021. Rënia është e konsiderueshme, me plot 9.3%. Nga shifrat e analizuara edhe më herët nga “Scan Intel” rezulton se kjo është rënia më e madhe që prej vitit 2002, kur lindjet binin me 20%. Pra, kemi të bëjmë me rënien më të lartë të lindjeve përgjatë dy dekadave. Nisur nga kjo tendencë rënëse e numrit të lindjeve duket qartë se popullsia jo vetëm po tkurret ndjeshëm, por gjithashtu edhe po plaket me shpejtësi. Edhe shifrat e tremujorit të parë të vitit tregojnë rënie të numrit të lindjeve me 16.9%, nga 6,214 lindje në tremujorin e parë të vitit të kaluar në 5,164 përgjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Gjatë vitit 2022, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me vitin 2021. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve ishte Tirana me 9,089 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Gjirokastra me 392 lindje. Rënien më të ulët në përqindje të lindjeve, gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021 e kishte qarku i Tiranës me 3.7%, ndërsa rënien më të madhe e kishte qarku i Korçës me 23.0%, pasuar nga qarku i Dibrës me 19% rënie të lindjeve.
Edhe në tremujorin e parë të këtij viti të gjitha qarqet kanë regjistruar rënie të numrit të lindjeve, krahasuar më tremujorin e parë të vitit 2022. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1,939 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 77 lindje. Rënien më të ulët në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2023, krahasuar me tremujorin e parë 2022 e ka qarku i Kukësit me 8.9%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Lezhës me 33.2%.
Ndërkohë, nga ana tjetër, shumë pesimiste janë shifrat e shtesës natyrore të popullsisë për vitin 2022, por edhe për tremujorin e parë të vitit 2023. Të dhënat sinjalizojnë se tre vitet e fundit kanë regjistuar shtesë natyrore shumë të ulët, ndërsa në vitin 2021 regjistrohej shtesë natyrore negative ku vdekjet tejkalonin lindjet me 3,296 vdekje më shumë. Sa i përket shtesës natyrore të popullsisë për vitin 2022 shifrat tregojnë se janë 690 lindje më shumë se vdekje. Edhe pse i është rikthyer trendit pozitiv pas pandemisë, nga ana tjetër, ky tregues është i dyti më i ulët, pas vitit 2020, në 32 vite. Referuar të dhënave historike, shihet se shtesa natyrore e popullsisë ka ardhur në rënie vit pas viti duke dëshmuar edhe njëherë plakjen e popullsisë.
Shifrat e shtesës natyrore janë akoma më pesimiste sa i përket tremujorit të parë të vitit aktual. Të dhënat tregojnë se përgjatë kësaj periudhe vdekjet kanë tejkaluar lindjet me 393 vdekje më shumë. Në tremujorin e parë 2023, katër qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë është negative. Qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 581 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 265 vdekje më shumë se sa lindje.
Të dhënat demografike tregojnë se viti 2022, ashtu si viti 2021 apo viti 2020, ka rezultuar fatal sa i përket humbjes së jetëve, krahasuar me vitet e mëparshme, kjo ndikuar edhe nga pandemia. Përgjatë vitit 2022 janë regjistruar gjithsej 23,998 vdekje. Edhe pse është viti i tretë me numrin më të lartë të vdekjeve, pozitiv është fakti se viti 2022 ka pësuar rënie me 21.3%, ndërkohë që viti 2021 dhe 2020 shënuan rritjen më të lartë të fataliteteve me 10.5% dhe 25.8%. Gjatë vitit 2022, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2021. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve ishte Tirana me 5,827 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të ulët ishte Kukësi me 541 vdekje. Rënien më të ulët në përqindje të vdekjeve, gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021 e kishte qarku i Kukësit me 11.3%, ndërsa rënien më të madhe e kishte qarku i Vlorës me 25.5%.
Në tremujorin e parë 2023, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2022. Rënien më të ulët në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2023, krahasuar me tremujorin e parë 2022 e ka qarku i Kukësit me 15.9%, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Vlorës me 39.9%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments