Financë

Kreditimi për biznesin sipas sektorëve/ Tregtia në vend të parë edhe këtë vit, por me tkurrje. Ndjek ndërtimi

0

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vihet re një rënie e huave të reja të dhëna gjatë nëntorit drejt bizneseve dhe korporatave jofinanciare private të cilësuara sipas aktivitetit të tyre ekonomik. Kështu, gjatë muajit nëntor flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 13.1 miliardë. Krahasur me nëntorin e vitit të kaular, kemi një rënie prej 17%, ose e thënë në vlerë absolute, me 2.7 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, nëse e shohim vlerën totale të huave të shpërndara gjatë njëmbëdhjetë mujorit të këtij viti shkon në 164.4 miliardë lekë, krahasuar me 145.7 miliardë lekë të shpërndara si hua për biznese të sektorëve të ndryshëm ekonomik për 2021-shin. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një rritje prej 13% të finacimit me kredi nga njëri vit në tjetrin. Krahasuar me 5 vitet e fundit, 2022-shi shënon vlerën e 3-të më të lartë, pas 2017-ës dhe 2018-tës.

Përsa i përket sektorëve që janë mbështetur më së shumti nga kreditë e shpërndara gjatë 2022-shit shohim që mbizotëron “Tregtia me shumicë dhe me pakicë”, me 32.6% ose 53.6 miliardë lekë, ku krahasuar me një vit më parë zinte 40.5%, duke pësuar një ulje prej 7.93 pikë përqindje. Tregtia, pavarësisht se qëndron në vend të parë, ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë viteve të fundit. “Ndërtimi” është sektori i dytë në nivel huash të reja, me 20%. Për ndërtimin, analiza e shifrave tregon se ka regjistruar një rritje të lehtë, me vetëm 0.73 pikë përqindje krahasur me vitin e kaluar.

Peshë të konsiderueshme të kredive të reja zënë “Industria përpunuese”, me 11.9% dhe “Energjia elektrike, furnizimi me gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 10.1%, ku kjo e fundit ka pësuar një rritje me 5.72 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor është një sektor që ka marrë 5.3% të kredive të reja të financuara gjatë vitit dhe ka pësuar një rritje me 4.7% krahasuar me 2021-shin. Pjesa tjetër e sektorëve mbulojnë vetëm 14% të kredive, ku sektorë si “Aktivitete të tjera shërbimi”, “Informacioni dhe komunikacioni”, “Transporti dhe magazinimi”, “Bujqësia, Pyjet, Peshkimi” dhe “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” përbëjnë nga 1% deri në 3% të kredive të financuara.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kursimet, me rënien më të madhe që nga pandemia/ Inflacioni dhe Euro “gjymtojnë” depozitat, 113 milionë euro më pak në banka

Postimi mëparshëm

Shqiptarët, më “gjumashët” në botë/ Gjysëm orë më shumë se mesatarja globale. Ata me arsim të lartë, 21 minuta më pak gjumë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.