Financë

Kreditë me probleme ulen për të dytin muaj radhazi/ Sipas Bankës së Shqipërisë arrijnë në 4.7%, niveli më i ulët në 10 vite

0

Në sektorin bankar të Shqipërisë, raporti i huave me probleme është një tregues thelbësor për të matur cilësinë e portofolit të kredisë së një banke. Të dhënat e fundit të “Bankës së Shqipërisë” tregojnë se ky tregues ka përjetuar luhatje të vazhdueshme gjatë periudhës së fundit, me një prirje të përgjithshme rënëse.

Konkretisht, në qershor të vitit 2024, raporti i huave me probleme bruto ndaj totalit të huave ka regjistruar një nivel prej 4.7%. Kjo shifër tregon një përmirësim të lehtë krahasuar me muajin maj 2024, kur ky tregues ishte 4.81% dhe gjithashtu një ulje të ndjeshme krahasuar me qershorin e vitit 2023, kur ky raport ishte 5.2%. Ky ndryshim tregon një përmirësim të vazhdueshëm në shëndetin financiar të sektorit bankar, duke reflektuar aftësinë në rritje të debitorëve për të përmbushur detyrimet e tyre financiare.

“Scan Intel” ka analizuar historikun njëvjeçar të shifrave për huatë me probleme në mënyrë që të studiojë tendencën e këtij treguesi. Shifrat tregojnë se kulmi i kredive me probleme është regjistruar në muajin shtator 2023, me një nivel prej 5.24 % ndërkohë që në muajt pasues ka patur një rënie të vazhdueshme të individëve apo bizneseve që nuk shlyenin në kohë huatë. Ndërsa viti 2024, nisi me një nivel 5.07% të huave me probleme derisa në muajin qershor arriti në 4.7% duke u ulur kështu me 0.37 pikë përqindje

Nga ana tjetër, edhe raportet e tjera të kreditimit shfaqen me rënie. Raporti i i huave  me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator pësoi rënie me  14.7% krahasuar me muajin qershor të vitit të kaluar, ndërsa raporti  i huave me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit aksioner pësoi rënie me 15.1%.

Kjo ulje e vazhdueshme e raportit të huave me probleme mund të shpjegohet  nga disa faktorë. Së pari, stabiliteti makroekonomik dhe ulja e inflacionit mund të kenë kontribuar në përmirësimin e aftësisë paguese të individëve dhe bizneseve. Gjithashtu, bankat mund të kenë forcuar politikat e tyre të kredidhënies dhe menaxhimit të riskut, duke u fokusuar në dhënien e huave për klientë më të besueshëm.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Çmimet e konsumit, rënie të lehtë në korrik/ Inflacioni arriti në 2.1%. “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me rritjen më të lartë

Postimi mëparshëm

Tirana, më e shtrenjtë se kryeqytetet e tjera në rajon/ Mercer: Luhatjet në kursin e këmbimit në vend rritën kostot për punonjësit e huaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.