Depozitat në sistemin bankar kanë shfaqur një trend të qëndrueshëm rritës gjatë vitit të fundit, duke reflektuar besimin e qytetarëve në stabilitetin ekonomik të vendit dhe performancën pozitive të sektorit bankar.
Të dhënat e fundit për Korrikun tregojnë se depozitat totale kanë arritur në 1.31 trilionë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 6.8% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, kur ato regjistronin vlerën e 1.23 trilionë lekëve. Më konkretisht, është regjistruar një rritje e qëndrueshme, veçanërisht në muajt e parë të vitit 2024, me një ulje të lehtë në mars dhe prill, por me rikuperim në muajt e mëvonshëm.
Kjo rritje është ndikuar edhe nga zgjerimi i depozitave në valutë. Këto depozita janë shtuar me 5%, duke kaluar nga 684 miliardë lekë në korrik 2023 në 718 miliardë lekë në korrik 2024. Këto shifra tregojnë një interes të lartë të qytetarëve dhe bizneseve për të mbajtur kursimet në monedha të huaja, si një masë për të ruajtur vlerën e parave të tyre ndaj luhatjeve të mundshme të lekut.
Nga ana tjetër, depozitat në lekë kanë shënuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe. Në korrik 2024 ato janë zgjeruar me 9% duke arritur në 595 miliardë lekë, nga 546 miliardë lekë që ishin në korrik të vitit të kaluar.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar lëvizjet e kursimeve gjatë 7 muajve të këtij viti. Gjatë muajve të fundit, vihet re një rritje më e shpejtë e depozitave, veçanërisht në periudhën nga marsi deri në korrik. Në mars, depozitat totale shënonin 1.30 trilionë lekë dhe kjo shifër u rrit gradualisht deri në 1.31 trilionë lekë në korrik. Ndërkohë që vlera më e lartë e depozitave totale u arrit në janar. Kursimet në këtë periudhë arritën në 1.32 trilionë lekë. Në të kundërt, muaji më i dobët ishte prilli ku depozitat ishin në vlerën e 1.28 trilionë lekëve.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments