Gjatë vitit 2024, tregu i letrave me vlerë ka përjetuar një tendencë konstante të uljes së yield-eve, e nxitur edhe nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit në fillim të muajit korrik në 3%.
“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar trendin e yield-it të bonove me afat maturimi 12-mujore. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë yield-i mesatar i ponderuar ka pësuar sërish ulje në 3.15%, nga 3.17% që ishte niveli i mëparshëm. Kjo normë konsiderohet si më e ulëta që nga tetori i vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, kërkesa për blerje dhe pjesëmarrja e investitorëve në këtë ankand ishte më e ulët se shuma e shpallur nga qeveria. Ministria e Financave, emetoi një shumë prej 7.3 miliardë lekësh, ndërkohë që shuma e vënë në dispozicion nga investiorët ishte afërisht 7 miliardë lekë.
Pra, rënia e kërkesës nuk ka çuar në rritjen e yield-eve, siç mund të pritej zakonisht. Pasi kur kërkesa për bonot është e ulët, qeveria duhet të ofrojë një yield më të lartë për të nxitur investitorët. Një yield më i lartë e bën investimin më tërheqës, duke kompensuar rrezikun e normës së kthimit ose mungesën e kërkesës.
Po ashtu, oferta e instrumenteve financiarë të emetuar nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm ka shfaqur vazhdimisht një tendencë në rënie, duke ulur presionin për rritjen e yield-eve.
Rënia e yield-it të shumicës së instrumentave financiarë dhe veçanërisht e bonove 12- mujore ndikon drejtpërdrejt në uljen e kostos së huamarrjes së sektorit privat. Bonot 12- mujore janë instrumenta financiarë që kanë frekuencën më të lartë të emetimit nga institucioni i Bankës së Shqipërisë duke shërbyer kështu si mjet kryesor i huamarrjes në tregun e brendshëm.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments