Financë

Kreditë me probleme i rikthehen rënies/ Zbresin pranë 5.23% gjatë Qershorit, pas dy muajsh me radhë në rritje

0

Treguesi i huave me probleme, që është edhe një ndër më të rëndësishmit e shëndetit financiar bankar, është regjistruar në rënie të lehtë gjatë Qershorit, pas dy muajsh me radhë në rritje modeste. Kështu, shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë sinjalizojnë se norma e huave me probleme ndaj totalit ka zbritur pranë 5.2%, nga 5.23% që ishte gjatë muajit Maj të po këtij viti. Treguesi vijon të mbetet pranë niveleve rekord minimale, por pak mbi nivelin e arritur në Dhjetor të vitit 2022, pranë 5%, që ishte edhe niveli më i ulët i këtij treguesi që prej vitit 2008.

Kujtojmë se huatë me probleme nisën një trajektore të rrezikshme rritje pas krizës financiare globale që goditi Botën dhe Europën në veçanti, për të kulmuar në 25% të totalit të kredive në vitin 2015 në vendin tonë, duke u kthyer në një kërcënim për sektorin bankar dhe ekonominë në tërësi, si dhe duke e vendosur Shqipërinë të parën në rajon në këtë drejtim.

Viti 2023 ka nisur me një rritje të treguesit dhe luhatje të hërë pas hershme muaj pas muaji, por duke mos rrezikuar asnjëherë kapërcime domëthënëse. Kriza e çmimeve, e bashkuar tashmë me krizën e zhvlerësimit të euros, sidomos për bizneset përbën një kërcënim serioz për likuiditetin e huamarrësve, qofshin familjarë, qofshin biznese. Por, mesa tregojnë shifrat, aftësia paguese e tyre nuk është kërcënuar nga këto zhvillime.

Nga ana tjetër, shifra të tjera të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se edhe ritmi i kreditimit, si për sektorin privat, ashtu edhe për individët po vazhdon, duke sinjalizuar se sektori bankar është mjaftueshëm i shëndetshëm për të shërbyer si një shtyllë e rëndësishme për ekonominë e vendit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Ku po marrin më shumë kredi qytetarët? Në Elbasan rritja më e madhe e huasë. Lezha, e vetmja me rënie

Postimi mëparshëm

Lindjet vijojnë të thellojnë rënien/ Në gjysmën e parë të vitit rezultojnë 12.8% më pak bebe se një vit më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.