Popullsia

Lindjet vijojnë të thellojnë rënien/ Në gjysmën e parë të vitit rezultojnë 12.8% më pak bebe se një vit më parë

0

Lindjet vijojnë trendin rënës edhe në tremujorin e dytë të këtij viti tregojnë të dhënat mbi treguesit demografikë nga “Instituti i Statistikave”. Numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2023 është 5,119, duke shënuar një rënie me 8.2%, krahasuar me tremujorin e dytë 2022. Ndërkohë, lindjet kanë shënuar rënie edhe nëse e krahasojmë me tremujorin e parë të këtij viti, i cili regjistronte 5,164 lindje. Rënia fiksohet në 16.9%. Pra, e thënë ndryshe, në gjysmën e parë të këtij viti numri i lindjeve në total është regjistruar në 10,284, nga 11,791 të tilla që ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Rënia është e konsiderueshme, me plot 12.8% këtë vit.

Në tremujorin e dytë 2023, një qark i vendit shënon rritje të numrit të lindjeve, ndërsa njëmbëdhjetë qarqe të tjera shënojnë ulje, në krahasim me tremujorin e dytë 2022. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1.846 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 84 lindje. Rritje të lindjeve në përqindje gjatë tremujorit të dytë 2023, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2022 e ka vetëm qarku i Vlorës me 2.4%, ndërsa rënien më madhe e ka qarku i Beratit me 19.2%, pasuar nga Dibra me 15.3% dhe Kukësi me 13.3%.

Nga ana tjetër, shumë e ulët mbetet shtesa natyrore, edhe pse pozitive. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2023 rezulton pozitive, duke regjistruar 465 lindje më shumë se sa vdekje. Ndërkohë, në tremujorin e kaluar shtesa natyrore e popullsisë regjistrohej në 393 lindje më shumë se vdekje, duke shënuar kështu një rritje modeste. Në tremujorin e dytë 2023, pesë qarqe të vendit regjistrojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në shtatë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative. Në tremujorin e dytë 2023, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 699 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 184 vdekje më shumë se sa lindje.

Lajmi i mirë është se paralelisht me numrin e lindjeve ka rënë edhe nnumri i fatalitetve me 8.1%. Numri i vdekjeve për tremujorin e dytë 2023 është 4,654. Në tremujorin e dytë 2023, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, ndërsa një qark shënon rritje, në krahasim me tremujorin e dytë 2022. Qarku me numrin të ulët të vdekjeve është Kukësi me 97 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1,147 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të dytë 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 e zë qarku i Durrësit me rënie prej 17.6%, pasuar nga qarku i Fierit me 15.4% dhe Elbasani me 12.4%. Ndërkohë, i vetmi qark me rritje të numrit të vdekjeve rezulton Tirana me 0.4%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kreditë me probleme i rikthehen rënies/ Zbresin pranë 5.23% gjatë Qershorit, pas dy muajsh me radhë në rritje

Postimi mëparshëm

Nga po `dynden` më shumë turistët në Shqipëri? Turqia, Gjermania dhe Italia, 3 shtetet me rritjen më të madhe mes “Top 10”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.