Financë

Kredia ndaj privatit, rritje me 35% në Qershor/ Transporti, industria përpunuese, hoteleria/restorantet, dhe `real estate` kryesojnë vrullin

0

Huaja e re drejt sektorit privat jofinanciar gjatë Qershorit fiksohet pranë rreth 20 miliardë lekëve, në rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur fiksohej pranë rreth 15 miliardë lekëve. Në terma nominal rritja është pranë 35%. Shifrat tregojnë se krahasuar me vitet paraardhëse, kjo është shifra më e lartë që prej Qershorit të vitit 2020, kur kredia e re për sektorin privat fiksohej në 21.1 miliardë lekë. Ky vit mban ende rekordin historik për këtë tregues, të paktën që prej vitit 2016.

Por, ajo që bie në sy nga shifrat është huaja e re sipas sektorëve, ku spikasin disa prej tyre. Transporti dhe magazinimi si sektor kanë marrë rreth 2.7 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit Qershor. Kjo shifër gjatë viteve të kaluara ka qenë disa herë më e ulët. Në Qershor të vitit 2022 fiksohej pranë vetëm 149 milionë lekëve, ndërkohë që rekordi i mëparshëm ishte ai i Qershorit të vitit 2019, me rreth 469 milionë lekë kredi të re për sektorin në një muaj. Mesatarja historike e periudhës ndërkohë fiksohet pranë 257 milionë lekëve, çka do të thotë se Qershori i këtij viti regjistron një rritje prej më shumë se 10 herë. Në Gusht 2020 ndërkohë regjistrohet rekordi absolut, nëse në analizë marrim çdo muaj, jo vetëm qershorin, prej diçka më shumë se 4 miliardë lekë. Qershori i këtij viti vjen direkt në vend të dytë.

Një tjetër sektor që regjistron rritje të ndjeshme të kreditimit gjatë Qershorit është ai i industrisë përpunuese, me rreth 3.1 miliardë lekë gjatë muajit të gjashtë të vitit, në rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, kur kjo shifër ishte pranë 2.1 miliardë lekëve. Me rreth 3.7 miliardë lekë, rekordin vijon ta mbajë muaji Qershor i vitit 2019. Për këtë sektor duket se ka dhënë efekt zhvlerësimi i euros, duke ndikuar në të ardhurat dhe likuiditetin e prodhuesve dhe eksportuese. Kjo mungesë likuiditeti duket se është reflektuar në një rritje domethënëse të huamarrjes nga sektori bankar në vend.

Me rreth 1.3 miliardë lekë kredi të re gjatë Qershorit, rritje të konsiderueshme regjistron edhe sektori i “Akomodimit dhe shërbimit ushqimor”. Në këtë rast kemi të bëjmë me një rekord historik, pasi asnjëherë ma parë kjo periudhë e vitit nuk ka regjistruar një shifër më të lartë. Rekordi i mëparshëm mbahej nga viti i kaluar, me diçka më shumë se 800 milionë lekë.

Shëndetësia është gjithashtu një sektor me rritje të ndjeshme të kreditimit gjatë Qershorit, edhe pse mbetet në vlera të ulta krahasuar me sektorët që dominojnë portofolin e kredisë, duke marrë vetëm 640 milionë lekë kredi të re në një muaj. Edhe sektorë si “Aktivitete financiare dhe të sigurimit”, si dhe “Aktivitete të pasurive të paluajtshme regjistrojnë rritje të ndjeshme, ndërkohë që në rënie janë “Industria nxjerrëse”, “Energjia elektrike” si dhe “Tregtia, me shumë dhe pakicë”.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqipëria, 7.5% më e motorizuar se në 2021-shin/ “Benzi” vijon kryesimin si më i pëlqyeri, “Audi” dhe “Toyota” me rritjen më të lartë

Postimi mëparshëm

Startup-et, Shqipëria e 74-ta në botë/ Mbetemi në fund të Europës, por sipas raportit ka vend për përmirësim

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.