Ekonomi

Kostoja mujore e të pasurit fëmijë, rreth 20 mijë lekë/ Rënien më të madhe të konsumit e regjistruan familjet me vetëm një person

0

Mesatarisht, në vitin 2023, një familje shqiptare e përbërë prej dy personash të rritur ka shpenzuar 72,792 lekë. Ndërkohë, nga ana tjetër, një familje prej dy të rriturish me fëmijë në varësi, shpenzoi rreth 92 mijë lekë, tregojnë shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave për vitin që lamë pas. Pra, diferenca në konsumin mujor mes një familje me fëmijë dhe asaj pa fëmijë është rreth 20 mijë lekë.

Shifra mbetet e përafërt edhe po të marrim diferencën mes familjeve me një person të rritur me fëmijë në varësi dhe asaj të një personi të rritur pa fëmijë në varësi. Diferenca mes shpenzimeve mujore në këtë rast vlerësohet në rreth 18 mijë lekë. Ndërkohë, nëse analizojmë shpenzimet e familjeve me tre ose më shumë persona me fëmijë dhe pa fëmijë në varësi shohim se diferenca në konsum vlerësohet në gati 10 mijë lekë në muaj. Po të marrim në analizë shifrat e konsumit që nga viti 2019-të, del në pah se diferenca mes familjeve me fëmijë dhe pa fëmijë në varësi vërtitet mes shifrës së 20 mijë lekëve. Pra, në terma të thjeshtë, kaq mund të themi se është kostoja mujore e të pasurit fëmijë për një familje mesatare shqiptare.

Por si ndryshuan shpenzimet sipas tipologjisë së familjes, krahasuar me vitin 2022? Nisur nga shifrat shohim se familjet e përbëra nga një person i vetëm kanë shënuar rënien më të madhe të shpenzimeve me 16%, krahasuar me vitin 2022. Rënie po ashtu vërehet edhe në familjet e përbëra vetëm nga dy të rritur me 8%.

Nga të dhënat shohim se konsumi ka shënuar rënie kryesisht në familjet pa fëmjë në varësi. Nga ana tjetër, të njëjtat të dhëna tregojnë se konsumi është rritur në familjet me një person të vetëm më fëmijë në varësi, me 7% dhe po ashtu rritje e shpenzimeve vërehet edhe në familjet e përbëra nga dy të rritur dhe me fëmijë në varësi.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Inflacioni dhe papunësia, shqetësimet kryesore të shqiptarëve/ Rritja e çmimeve përbën problemin më të madh për qytetarët e rajonit

Postimi mëparshëm

Kur do të ndodhë anëtarësimi në BE? Shqiptarët besojnë deri në 2030, ndërsa Serbia thotë “kurrë”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.