EkonomiSociale

Konsumi, sa afër europianëve janë shqiptarët? Eurostat për 2020, konsumojnë sa 40% e qytetarëve të BE-së, të fundit në kontinent

0

Eurostat ka publikuar të dhënat paraprake të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë dhe të konsumit aktual individual (ACI) për vitin 2020. Këta dy tregues shihen gjerësisht si dy ndër më të rëndësishmit në aspektin e mirëqënies së familjeve. Publikimi i Eurostat merr një vlerë të shtuar pasi jep një bazë krahasimore edhe me vendet e tjera, të Bashkimit Europian, rajonit dhe më gjerë në kontinentin e vjetër. Sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, në vitin 2020 ka mbetur i pandryshuar për vendin tonë, në 31% të mesatares së Bashkimit Europian. Ky nivel na mban të pozicionuar sërish në vendin e fundit në Europë, ku në analizë merren edhe të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Kosovës. Niveli prej 31 pikësh është ndjeshëm nën mesataren e vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate, që fiksohet pranë 38 pikëve, por edhe poshtë vendeve si Bosnje Hercegovina, apo Maqedonia e Veriut.

Sa i përket indikatorit tjetër, atij të konsumit aktual individual, që është matësi më real i mirëqënies së familjeve, pasi mat shpenzimet e tyre, si për të mira ashtu edhe për shërbime, është ngjitur pranë 40 pikëve, nga 39 pikë që ishte vitin parardhës, atë 2019. Por si përkthehet ky tregues? Shqiptarët mund të konsumojnë sa 40% e një europiani mesatar, me çmimet dhe pagat të shprehura sipas paritetit të fuqisë blerëse. Pra, në rast se një europian mesatar me të ardhurat e tij dhe çmimet në vendin ku ai jeton mund të blejë 100 njësi, një shqiptar me të ardhurat e tij dhe çmimet në Shqipëri mund të blejë vetëm 40% të produkteve dhe shërbimeve të një bashkëqytetari të tij që jeton në një prej vendve të Bashkimit Europian. Rritja prej vetëm 1 pikësh e këtij treguesi është ndjeshëm nën rritjen e vendeve të rajonit, ku Serbia regjistron një përmirësim me 3 pikë përqindje, Turqia me 5, Bosnje Hervegovina me 2, e po ashtu edhe mesatarja e vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate. Në vend të parë në nivel europian vijon të mbetet Luksemburgu, edhe pse vihet re një rënie prej 3 pikësh përqindje gjatë vitit 2020, atë të pandemisë, me një nivel konsumi individual 31% mbi mesataren e BE-së.

Rritja me 1 pikë përqindje e këtij treguesi në vendin tonë, jo domosdoshmërisht përkthehet në rritje të nivelit të mirëqenies, duke qenë se 2020 i referohet një viti aspak të zakontë. Rritja e konsumit për familjet shqiptare duket të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shpenzimeve për shëndetin, pasi konsumi në sektorët e tjerë ka qenë i kontraktuar thuajse gjatë të gjithë vitit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

IHÇK në 2.4% gjatë majit, çmimet rriten mbi mesataren e Bashkimit Europian

Postimi mëparshëm

Bankat, 577 mln euro për objektivat e OKB,- Kontributi i sektorit për 17 objektivat SDG, barazia gjinore dhe rritja ekonomike zënë 61%

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.