Ekonomi

Kolapsi i Hekurudhës Shqiptare/ 55 mln euro humbje në një dekadë, vetëm një linjë në shërbim, dhe rreth 1 mijë të punësuar

0

“Hekurudha Shqiptare” është një kompani 100% nën zotërim të qeverisë shqiptare, më saktë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ndër vite, ka qenë një prej kompanive shtetërore me humbjet më të mëdha. “Scan Intel” ka analizuar performancën e kompanisë shtetërore ndër vite si dhe numrat e pasagjerëve, për të kuptuar më qartë situatën. Në të gjitha vitet e marra në analizë, që prej vitit 2010 deri në vitin 2020, asnjëherë, “Hekurudha Shqiptare” nuk ka dalë me fitim. Madje, humbjet janë të ndjeshme, dhe janë thelluar nga viti në vit, për të kulmuar në vitin 2020, me rreth 2 miliardë lekë, ose rreth 17 milionë euro. Në të 11-të vitet e marra në analizë humbjet kapin shifrën e 6.5 miliardë lekëve, ose plot 55 milionë euro. Kjo shifër përfaqëson vetëm humbjet e drejtpërdrejta të kompanisë si biznes, dhe jo impaktin total në buxhetin e shtetit, në një kohë që ndër vite ka kanalizuar të ardhura shtesë nga buxheti. Madje, në pjesën dërrmuese të viteve të fundit, sidomos gjate viteve 2014-2018, “thela” kryesore e të ardhurave nuk përbëhet nga aktiviteti i shfrytëzimit, pra pagesat për shërbimet e kryera, por të ardhurat shtesë, pra financimet e ndryshme, çka do të thotë se pjesa kryesore e të ardhurave nuk përfaqësohet nga shitjet. Duke qenë se bëhet fjalë për një kompani ku shteti është 100% aksioner, atëherë këto para të humbura përkthehen në kosto shtesë mbi buxhetin e shtetit, pra para të shkuara dëm nga taksat, apo para të çuara dëm nga investime të tjera. Pak kohë më parë, “Scan Intel” analizonte të gjitha kompanitë shtetërore bazuar në performancën e tyre financiare, dhe “Hekurudha Shqiptare” rezultonte e para sa i përket nivelit të humbjeve. Kapitali i kompanisë, sipas regjistrit në QKB vlerësohet në 48.3 miliardë lekë, ose 405 milionë euro.

Niveli i pasagjerëve ndërkohë ka vijuar të bjerë në mënyrë progresive ndër vite. Viti i fundit me shifra disi të larta është ai 2013, me rreth 329 mijë pasagjerë të transportuar, ndërkohë që, që prej vitit 2016 shifrat kanë zbritur nën 100 mijë. Me pandeminë ndërkohë, tronditja duket edhe më e madhe, me vetëm 18 mijë pasagjerë në vitin 2020 dhe 24 mijë në vitin 2021. Zyrtarisht, nga data 11 qershor, deri më 18 shtator të këtij viti, “Hekurudha Shqiptare” operon me një linjë të vetme, Elbasan-Durrës, dhe vetëm të shtunave dhe të dielave, me vetëm dy trena, atë nr.6 dhe trenin nr.7. Edhe kjo linjë e vetme, në vetëm dy ditë të javës, funksionon me një orar për secilin tren, atë të nisjes nga Elbasani në orën 6.00 të mëngjesit, dhe atë të nisjes nga Durrësi në orën 15.00. Për më tepër, rruga nga Elbasani në Durrës me tren zgjat plot 2 orë e 48 minuta, dhe 2 orë e 53 minuta rruga e kthimit. Pra, në total, sot, për pasagjerët, “Hekurudha Shqiptare” ofron vetëm një linjë, në fundjavë, pra dy rrugë në javë, vajtje-ardhje, Elbasan-Durrës. Deri në fillim të qershorit ndërkohë, operonte një tjetër linjë, po e vetme, ajo Shkodër-Laç, vetëm ditëve të Marta të javës.

Por, pavarësisht se transporti i pasagjerëve me tren sot është thuajse inekzistent, me rënie të ndjeshme ndër vite, dhe pavarësisht faktit se “Hekurudha Shqiptare” raporton miliona euro humbje në vit, për një total prej më shumë se 55 milionë eurosh në një dekadë, shpenzimet e kompanisë shtetërore për paga ndaj personelit kanë qenë në nivele thuajse konstante. Sipas bilanceve të depozituara në QKB nga kompania, të analizuara nga “Scan Intel” rezulton se, gjatë vitit 2020, shpenzimet për paga për personelin fiksohen pranë 402 milionë lekëve, ose rreth 3.4 milionë euro. Në 2019-ën, shpenzimet për paga ishin në 411 milionë lekë, në 2018-ën dhe 2017-tën në 398 milionë lekë. Ndërkohë, në vitet 2010-2011, shpenzimet ishin pak mw shumw se 500 milionë lekë. Por, asokohe, humbjet ishin më të ulta, të ardhurat më të larta, dhe transporti i pasagjerëve me flukse më të konsiderueshme, mbi 20 herë më të larta se sot. Madje, të dhënat e vitit 2021 tregojnë se kjo kompani punëson thuajse 1 mijë individë. Sipas listës së pagave të rrjedhur për publikun disa kohë më parë, në Prill të vitit 2021, në borderonë e “Hekurudhës Shqiptare” ishin të punësuar 989 individë.

Trajektoren rënëse të kompanisë shtetërore e konfirmojnë edhe të ardhurat, të cilat kanë zbritur në vetëm 85 milionë lekë gjatë 2020-ës, pranë 160 milionë lekëve në 2019-ën dhe 2018-ën, nga qindra milionë lekë në vitet 2010-2017. Historiku i kompanisë, referuar vetë ekstraktit në QKB tregon se është regjistruar më 1 dhjetor të vitit 1947, dhe sot, 75 vjet më vonë, është thuajse në kolaps, me shërbim thuajse zero për pasagjerët, miliarda lekë të humbura dhe miliarda lekë të marra nga buxheti i shtetit, ndërkohë që vlera e kompanisë fiksohet pranë rreth 400 milionë eurove. E vetmja shpresë për rikthimin e kompanisë në funksion duket të jetë rehabilitimi i linjës Tiranë-Durrës, si dhe linja e re që do të lidhë Aeroportin Nënë Tereza me kryeqytetin.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Transporti “nxjerr zbuluar” tregtinë/ Më pak mallra të transportuara këtë vit, pasagjerët me rritje

Postimi mëparshëm

Cilat janë problematikat kryesore të biznesit? Anketa e RCC: Pandemia, korrupsioni dhe kriza e migrimit, sfidat e sipërmarrjes në Shqipëri

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.