Raporte

Kërkimi shkencor, Shqipëria në fund të Europës/ Jemi ndër vendet me më pak punime. Ekonomia na rendit më mirë se shkencat e tjera

0

Shqipëria është renditur në vend të 112-të në nivel global midis 233 vendeve sipas raportit Scimago Journal (SJR), me 1,023 kërkime shkencore ndërkombëtare dhe renditet e 95-ta sipas H-index, për vitin 2022. Indeksi H është një numër që synon të përfaqësojë produktivitetin dhe ndikimin e një shkencëtari ose studiuesi të caktuar, ose një grupi shkencëtarësh ose studiuesish. Ai llogaritet duke numëruar numrin e botimeve për të cilat një autor është cituar nga autorë të tjerë. Pra, referuar vlerës së vendit tonë mund të themi se një studiues në Shqipëri ka botuar të paktën 95 punime dhe secili është cituar të paktën 95 herë.

Numri i citimeve shkencore për Shqipërinë është 939, duke shënuar një rritje me 94 citime më shumë karahasuar me vitin 2021. Sipas të dhënave të raportit vendi ynë ka regjistruar një përmirësim të lehtë edhe në renditje duke u ngjitur me një pozicion. “Scimago Journal” është një portal i disponueshëm për publikun që përfshin revistat dhe treguesit shkencorë të vendeve të caktuara. Kjo platformë e ka marrë emrin nga SCImago, një algoritmi i njohur gjerësisht i Google PageRank, i cili rendit revistat dhe punimet shkencore bazuar në rezultatet e motorëve të kërkimit.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet e parafundit duke lënë pas vetëm Malin e Zi i pozicionuar në vend të 127-të mes 233 vendeve në total. Serbia kryeson rajonin sa i përket kërkimit shkëncor, numrit të publikimeve apo citimeve ndërkombëtare. Serbia në këtë indeks renditet në vend të 59-të, pasohet nga Bosnje Hercegovina në vend të 93-të dhe nga Maqedonia e Veriut e pozicionuar në vend të 102 për vitin 2022. Referuar të dhënave sa i përket rajonit të Europës Lindore, Shqipëria renditet mes tre vendeve të fundit bashkë me Malin e Zi dhe Moldavinë. Rusia kryeson Europën Lindore duke u renditur në vend të parë me rreth 108,464 dokumente shkencore gjithsej dhe 104,433 dokumente të cituara nga shkencëtarë të tjerë. Në Europë, vetëm Mali i Zi, Monaco, Gjibraltari, Ishujt Faroe, San Marino, Andora dhe Vatikani janë të renditur më keq se Shqipëria, por të gjitha këto janë shtete të vogla dhe me popullsi ndjeshëm më të ulët se ajo e vendit tonë, duke qenë se raporti merr për bazë numrin e publikimeve dhe kërkimeve shkencore.

“Scan Intel” i ka analizuar të dhënat e këtij raporti në 16 treguesit ose fushat që shqyrton për secilin shtet bazuar në 3 dimensionet kryesore të cilat janë: kërkimi, inovacioni dhe shoqëria. Bazuar nga të dhënat, për shkencat Bujqësore dhe Biologjike, Shqipëria renditet në vend të 120-të, për Arte dhe Shkencat Humane renditemi në vend të 90-të me rreth 54 punime shkëncore. Për Biokimi, Gjenetikë dhe Biologji Molekulare renditemi në vend të 114-të me 76 punime gjithsej, ndërkohë që për Biznes, Menaxhim dhe Kontabilitet renditemi në vend të 89-të me 85 kërkime dhe punime shkencore. Për Ixhinieri Kimike dhe Kimi jemi të renditur në vend të 111-të, ndërsa për Shkenca Kompjuterike dhe Sheknca në Vendimmarrje renditemi përkatësisht në vend të 89-të dhe 102.

Nga ana tjetër, për fusha të tjera si Stomatologjia Shqipëria renditet në vend të 73 me 26 kërkime dhe duke lënë pas Bonje Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Për Shkencat Planetare renditemi në vend të 124-tët, për Ekonomi në vend të 83-të, duke lënë sërish pas vendet e rajonit përveç Serbisë. Nëse do të flisnim për studimet shkencore në fushën e Energjisë renditemi në vend të 114-të, për shkencat e mjedisit në vend të 109-të, ndërsa për Profesionet Shëndetësore renditemi në vend të 103 me vetëm 19 kërkime shkencore gjithsej. Po të kalojmë nga Shkencat Ekzakte si matematika shohim se renditemi në vend të 99-të me 97 dokumente. Për Farmakologji, Toksikologji dhe Farmaceutikë pozicionohemi në vend të 115-të, ndërsa për Shkenca Sociale renditemi në vend të 96-të me rreth 209 dokumente shkencore gjithsej dhe 201 të cituara.

Në nivel global Kina renditet e para mes 233 vendeve me 1,009,891 dokumente shkencore nga ku 985,085 të cituara. Pasohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 702,840 kërkime gjithsej nga ku 623,186 dokumënte janë të cituara edhe nga autorë të tjerë. E treta në renditje ndjek India pasuar nga tre vende europiane si: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia.

Renditja e Shqipërisë për kërkimin shkencor sipas fushave

Për të parë raportin e plotë klikoni këtu

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa para dërgojnë shqiptarët jashtë? Mbi $50 milionë në vit. Italia dhe Greqia `presin` 87% të totalit, SHBA e 3-ta

Postimi mëparshëm

Remitancat, sa 10% e ekonomisë shqiptare/ KNOMAD: $1.8 mld në vit nga emigrantët, kryesojnë dërgesat nga Italia, Greqia, SHBA

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.